Të pakta janë përgjigjet që gazetarët thonë se marrin në pyetjet që përcjellin në institucionet qeverisëse. Si rezultat, ata detyrohen që temat t’i transmetojnë të paplotësuara, e të gjejnë zgjidhje të tjera për sigurimin e përgjigjeve. E papranueshme dhe shkelje e premtimeve për transparencë konsiderohet një qasje e tillë nga AGK-ja e njohës të së drejtës së mediave
Drin Demiri jo rrallë herë është detyruar që në kërkim të përgjigjeve që nuk i ka marrë me javë, të ndjekë nga pas aktivitetet e kryeministrit Albin Kurti e ministrave të qeverisë së tij.
Demiri, gazetar në Klan Kosova, thotë se janë të rralla rastet kur në pyetjet që i dërgon, merr përgjigje nga institucionet.
Si rrjedhojë, ai thotë se shpesh i duhet ta publikojnë kronikën jo të plotësuar me të gjitha përgjigjet, ose edhe t’i dështojë realizimi i saj.
“Të rralla janë rastet kur Qeveria apo edhe ministritë përkatëse u kthejnë përgjigje gazetarëve brenda ditës. Kjo ndodh shumë rrallë. Për këtë arsye, na duhet të mendojmë disa ditë më herët me dërguar pyetje, qoftë në Zyrën e Kryeministrit apo në ministritë përkatëse për me marrë përgjigje të paktën gjatë javës, për ta transmetuar kronikën më pas. Po ashtu, kemi edhe disa raste të tjera, kur përgjigjet nuk kthehen fare”, ka thënë Demiri.
Ankesa të tilla, në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës thonë se pranojnë vazhdimisht.
Në këtë asociacion, moskthimin apo edhe vonesën e përgjigjeve i quajnë të papranueshme.
“Ata gjithmonë kanë arsyetime nga më të ndryshmet sipas së cilës shpesh nuk kanë staf të mjaftueshëm që punon nëpër zyrat e mediave të qeverisë dhe ministrive të caktuara, për t’i kthyer përgjigjet në kohë, por në fund të ditës besoj që njëjtë sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën edhe kjo qeveri nuk është e interesuar që ta rrisë transparencën që të kthejë përgjigje për gjithë interesimin që gazetarët kanë për temat e ndryshme”, është shprehur Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.
Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, thotë se Qeveria e drejtuar nga Kurti karakterizohet me bojkotim të mediave që nuk iu pëlqejnë, refuzim të kërkesave për qasje në dokumente publike e mungesë të konferencave.
“Ju duhet gazetarëve të vrapojnë pas eventeve të ndryshme ku merr pjesë kryeministri, në mënyrë që të marrin një përgjigje nga kryeministri. Këta kanë ardhur në pushtet me premtimin se do të ketë transparencë radikale, ne po shkojmë në drejtim të mbylljes radikale. Pra, një premtim i dhënë nuk është duke u mbajtur”, ka pohuar Kusari.
Lidhur me numrin e pyetjeve që pranojnë e atyre për të cilat kthejnë përgjigje, televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga Zyra e Kryeministrit.
Por, përgjigje në pyetjet e dërguara nuk ka marrë.