Arbëri

Mbrojtja kërkon që të hidhet poshtë aktakuza për rrahje deri në vrasje të gruas nga bashkëshorti

Ka vazhduar gjykimi ndaj Ilir Haxhiajt që akuzohet për lëndim të rëndë trupor që i kishte shkaktuar gruas së tij, e cila pastaj kishte vdekur nga plagët e marra.

Megjithëkëtë, mbrojtja e tij insiston se aktakuza duhet të hidhet poshtë krejtësisht dhe këtë kërkesë e kanë bërë edhe në seancën e së enjtes, raporton KTV.

Në Gjykatën Themelore në Prizren, avokati mbrojtës i tij, Skënder Morina, ka thënë se Prokuroria nuk disponon prova të mjaftueshme për akuzat që i janë vënë klientit të tij.

E me këtë kërkesë, nuk është pajtuar prokurori i rastit, Metush Biraj, i cili ka thënë se nga provat e grumbulluara gjatë fazës së hetimit, është dëshmuar se i akuzuari ka kryer veprën penale, për të cilën edhe akuzohet.

Ai i ka propozuar Gjykatës që të vazhdohet me gjykim kryesor.

Në aktakuzën dhe në raportin e mjekësisë ligjore që e kishte siguruar “Kohavisioni”, theksohet se për shkak të lëndimeve dhe goditjeve që ka marrë nga bashkëshorti i saj, e ndjera H.D, e cila ishte nga Rahoveci, pas trajtimit në QKUK, ka vdekur.

Për këtë, avokati i familjes të së ndjerës, ka kërkuar edhe njëherë që të bëhet rikualifikimi i veprës penale.

H. D, nga Rahoveci, kishte vdekur më 15 qershor të këtij viti, pas dy javësh trajtimi intensiv në QKUK.