Arbëri

Mbivlerësimi i “Lutjeve të Mëngjesit”, ish-ambasadori Spahiu: Politikanët manipulojnë

Kongresi - amerikan

Të enjten, në Washington do të mbahet ngjarja vjetore “Lutjet e Mëngjesit”. Pjesë e saj, ndonëse jo liderët e shtetit, do të jenë edhe përfaqësues nga Kosova. Por ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, thotë se pjesëmarrja në këtë takim shpesh manipulohet nga pjesëmarrësit dhe për nga rëndësia nuk është siç tentohet të paraqitet

Pesë shkurti do të mbledhë në Washington mijëra të ftuar në organizimin vjetor “Lutjet e Mëngjesit” të organizuar nga Kongresi amerikan. Ndonëse jo liderët, në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, për disa vite ka qenë pjesë e këtij organizimi. Ai thotë se ftesat për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” sigurohen lehtë dhe pjesëmarrja në të nuk do të thotë se je i vlerësuar nga administrata amerikane. 

“Në të vërtetë ftesat për të marrë pjesë në këtë organizim vijnë nga kongresi amerikan, nga senatorë dhe kongresmenë dhe jo nga zyrtarë, jo nga administrata, jo nga Shtëpia e Bardhë, kështu që është lehtë që dikush ta marrë një ftesë të tillë nga Kongresi. Nëse ke çfarëdo lidhjeje apo njohje paraprake me kongresmenët mund të të dërgojnë një ftesë që të marrësh pjesë, të jesh pjesë e këtij evenimenti”, ka thënë ai.

Sipas Spahiut, pjesëmarrja në këtë organizim manipulohet nga pjesëmarrësit. 

“Shumë njerëz që marrin pjesë në këtë, nga vendet e ndryshme edhe manipulojnë shumë me këtë takim, sa i përket rëndësisë së tij. Disa mendojnë që të ftuarit janë përzgjedhur nga një vend, janë njerëzit me potencial, me potencial të madh politik dhe kur kthehen në vendet e tyre japin publicitet të tepërt, ndonëse nuk është i tillë, nuk ka ndonjë rëndësi tepër të madhe”, është shprehur ish-ambasadori.

Ai ka deklaruar se ky organizim bëhet “më shumë për të rezonuar, për të prezantuar aspekte të ndryshme të paqes, por edhe të humanizmit. 

“Për shembull një herë në tubime të tilla ka qenë folësja kryesore Nënë Tereza, e cila është pritur me ovacione e të tjera, më kujtohet ai moment. Aty ftohen zakonisht me mijëra, afro 4 mijë të ftuar nga mbarë bota. Aty ka një ligjëratë për paqen botërore, për gjëra të humanizmit dhe të tjera, është një ‘keyspeaker’ (folës kryesor), ai flet, derisa të tjerët hanë mëngjes dhe dëgjojnë”, ka thënë ai.

Ndonëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pjesë e këtij takimi, ish-ambasadori Spahiu thotë se mundësitë për t`u takuar me të ose zyrtarë të tjerë të lartë amerikan janë të pakta.

“Natyrisht aty flet edhe presidenti i SHBA-së dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë mundësi që të takojnë në margjina të asaj ngjarjeje edhe personalitete nga bota e të tjera, por nuk është e thënë që secili që merr pjesë në këtë do të takojnë presidentin e SHBA-së apo edhe ministrin e jashtëm. Vetëm një numër i vogël nga ta do të mund të kenë një takim formal prej disa minutash me presidentin e SHBA-së”, ka treguar ai.

Spahiu ka ndarë edhe fragmente kujtimesh nga takimi i ish-presidentit Ibrahim Rugova me ish-presidentin Bill Clinton, në kuadër të pjesëmarrjes në këtë organizim në vitet ’90.

“Ato takime (me zyrtarët e lartë) bëhen natyrisht me një itinerar tjetër, me kërkesa speciale në të cilat është e involvuar Ambasada për t`i organizuar. Këto janë ashtu siç e kanë titullin ‘Lutjet e Mëngjesit’ - lutje për paqen, mirëkuptimin e të tjera”, ka thënë ai.

Nga Zyra e Presidentes, në një përgjigje me shkrim për KOHËN, kanë njoftuar se me gjithë ftesën, presidentja Vjosa Osmani nuk do të jetë pjesë e “Lutjeve të Mëngjesit”. 

“Po ka marrë sërish ftesë edhe sivjet, por kësaj radhe e ka të pamundur të jetë në ‘Lutjet e Mëngjesit’ për shkak të disa angazhimeve të paracaktuara shumë më herët”, ka thënë këshilltari për media, Bekim Kupina.

Nga Qeveria nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është i ftuar për të marrë pjesë në këtë ngjarje. 

Pjesë e “Lutjeve të Mëngjesit” pritet të jenë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ish-kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Pjesëmarrja e Kosovës, në këtë ngjarje, sipas ish-ambasadorit të Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, është pozitive. Ai thotë se të qenit pjesë e “Lutjeve të Mëngjesit” të krijon mundësinë e takimit me kongresmenë, me senatorë e pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

“Natyrisht në pauzën e këtij, në kohën kur kryhet ose para fillimit të këtij ceremoniali, ata mund të takohen me politikanë nga bota që marrin pjesë aty, prezantojnë veten, por edhe pikëpamjet e tyre politike, jo formalisht, kjo është. Ata rrinë ulur rreth tavolinës së rrumbullakët, shërbehet një lloj i veçantë i mëngjesit amerikan, ushqimit amerikan që ka po ashtu anën simbolike dhe kjo është e tëra. Nuk ka ndonjë peshë tjetër të rëndësishme në këtë event”, ka thënë ai.

Kjo ngjarje organizohet që nga viti 1953 dhe mbahet në të enjten e parë të muajit shkurt.