Arbëri

Mbi një mijë nxënës e kanë braktisur vitin shkollor 2019-2020

Familja Misini nga Dubrava e Ferizajt, pjesë e komunitetit ashkali, ka 8 fëmijë.

Por për shkak të kushteve të vështira ekonomike, 2 vajzat e kësaj familjeje e kanë lënë komplet procesin mësimor.

Ani pse shkollimi fillor është i obligueshëm në Kosovë, nëna e Shkurtës 15-vjeçare dhe Albës 9-vjeçare thotë se ato i ka ndalur prej mësimit shkaku i vështirësive financiare.

Shkolla “Naim Frashri” e fshatit Zaskok, ku mësojnë edhe nxënësit e fshatit Dubravë, numëron 724 nxënës, prej tyre 321 nga komuniteti ashkali.

Mësimdhënësja e klasës së katërt Lumnije Sinani ka thënë se në këtë klasë ishin 26 nxënës, por 3 prej tyre e kanë braktisur mësimin.

Rexhë Mahalla, pedagogu i shkollës “Naim Frashëri”, tregon se shkaqet e braktisjes së mësimit janë kryesisht ekonomike, por shpeshherë edhe të martesave të hershme.

E ndërmjetësuesi për rikthim në shkollë nga fshati Dubravë, Selatin Dudaki, thotë se në vitin shkollor 2017-2018, dhe 2018-2019 numri i braktisjes së shkollimit nga fëmijët e komunitetit ashkali arriti në 28.

Megjithatë, shton se aktualisht kanë arritur t’i rikthejnë 18 nxënës në shkollë, por edhe 10 të tjerë kanë mbetur jashtë procesit.

Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, vitin shkollor 2019-20 në nivel vendi e kanë braktisur mbi një mijë nxënës.