Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 4 miliardë euro mallra të importuara në Kosovë

Foto: Koha / Ilustrim

Brenda një viti, sipas të dhënave të Doganës Kosova ka importuar mallra nga vende të ndryshme të botës në vlerë prej më shumë se 4 miliardë euro, derisa ka eksportuar jo më shumë se 340 milionë euro.

Si pasojë e mospërputhjes ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve, deficiti vjetor tregtar në Kosovë ka arritur në shifrën mbi 3 miliardë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2019 ka pasur rritje edhe të eksporteve edhe të importeve.

“Derisa në vitin 2018, vlera e eksporteve ka qenë rreth 300 milionë euro, në vitin 2019 vlera e eksporteve është rritur për 8 për qind, përkatësisht 340 milionë euro. Edhe në aspektin e importit kemi rritje, por jo në aspektin e peshës, por kemi rritje në aspektin e vlerës, ku vlera e tërësishme e importit nga 3.9 miliardë sa ka qenë në vitin 2018, është rritur në 4 miliardë në vitin 2019”, thotë Stavileci.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova më së shumti importon makineri, pajisje mekanike dhe elektrike, produkte minerale, ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, si dhe artikuj të tjerë.

Edhe Rritet deficiti tregtar në Kosovë Arbëri Rritet deficiti tregtar në Kosovë

Ndërkaq, sa i përket eksportit, Kosova eksporton metalet bazë dhe artikujt prej tyre, produktet minerale, ushqimet e përgatitura e produkte e të ngjashme.

Dëmet që i shkakton deficiti ekonomisë

Deficiti i lartë tregtarë ndër vite vlerësohet shqetësues për ekonominë e një vendi, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti i çështjeve financiare, Flamur Keqa.

“Një prej problemeve që shkaktohet nga deficiti afatgjatë i lartë tregtar, është mundësia për rritjen e papunësisë, sepse në vend që të prodhohet më tepër në Kosovë dhe të rriten vendet e punës këto mallra importohen nga jashtë”, thotë Keqa.

Kosova përballet me nivel të lartë të papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia gjatë vitit 2019, ishte 29.6 për qind.

Deficiti i lartë tregtar, i cili është pasojë e mospërputhjes së lartë ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve, vazhdon të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike. Rritja ekonomike për vitin 2019 në Kosovë ka qenë vetëm rreth 4.2 për qind.

Edhe Për pesë muaj, Kosova importoi afro 3 miliardë euro mallra e eksportoi rreth 420 milionë Ekonomi Për pesë muaj, Kosova importoi afro 3 miliardë euro mallra e eksportoi rreth 420 milionë

Prodhuesit në Kosovë në vazhdimësi kanë theksuar se përballen me probleme të shumta, si tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, ekonomia joligjore, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit, jostabiliteti me energji elektrike e konkurrenca jo e barabartë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë