Arbëri

Mbi 30 për qind e kapaciteteve të Mjekimit Intensiv, me pacientë post-COVID

Një pjesë e madhe e pacientëve që janë aktualisht për trajtim në Mjekimin Intensiv Qendror, janë raste që e kanë kaluar me parë COVID-in, gjendja e të cilëve ishte komplikuar më vonë. Mjekët në këtë klinikë deklarojnë se gati 30 për qind e kapaciteteve janë të zëna me pacientët post-COVID, e në këtë valë ka më shumë se valët e tjera, por dallimi është që aktualisht në gjendje të rëndë pas COVID-19, janë mosha shumë më të reja

Pacientë në gjendje të negativizuar e të shëruar plotësisht prej COVID-19 kanë përfunduar në Mjekimin Intensiv Qendror.

Virusi u ka lënë pasoja të mëdha, e në këtë klinikë po bëhet përpjekje për t’i shëruar.

Janë rreth 30 pacientë post-COVID që po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë, e cila deri para disa jave shërbente vetëm për rastet me virus. Por, për qytetarët që po vuajnë nga pasojat më të rënda të virusit, trajtimi jepet në këtë klinikë.

Anesteziologu Shaqir Uka ka folur për nevojën e pacientëve, të cilët pavarësisht se e kalojnë virusin, iu duhet hospitalizimi në këtë klinikë.

“Kemi qenë të ballafaquar me pacientë, të cilët kanë pasur komplikime nga trajtimi, gjegjësisht shërimi jokomplet i tyre dhe kemi pasur nevojë që pacientët e tillë t’i pranojmë në Njësinë Intensive Qendrore këtu, për të vazhduar tretmanin e mëtutjeshëm mjekësor. Posaçërisht këto ditët e fundit jemi duke u ballafaquar, dhe kapacitet tona janë të përmbushura diku 30-40 për qind me pacientë që kanë komplikime nga COVID-i”, ka thënë Uka.

E pacientët, siç ka treguar ai, vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Uka nuk ka dhënë ndonjë periudhë kohore se kur pacientëve u keqësohet gjendja, pasi të rezultojnë negativë, duke e konsideruar individuale.

Por, ai ka thënë se varianti Delta ka rritur numrin e rasteve POST-COVID, e një pjesë e tyre janë të moshës së re.

“Me këtë valë, nevoja për trajtim të pacientëve të tillë është më e shtuar. Krahasuar me valët e mëhershme mund të them me siguri të plotë që në këtë valën e fundit mund të jetë një dallim në moshën e pacientëve. Në qoftë se në valët përpara kemi pasur pacientë që kanë qenë të moshës mesatare dhe të moshës më të shtyrë, në këtë valë kemi pacientë të moshave të reja”, ka shtuar Uka.

Kosova ka pasur rritje të numrit të rasteve nga gjysma e muajit gusht, deri në gjysmën e shtatorit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pjesa më e madhe e rasteve gjatë kësaj periudhe ishin të variantit Delta. Përveç numrit të madh të rasteve, Kosova pati shënuar për disa ditë me radhë rekord vdekjesh krahasuar me vendet e tjera e në raport me numrin e banorëve.