Arbëri

“Mbi 200 licenca të gurthyesve rrezikojnë zonat e mbrojtura nga shteti”

Një hulumtim nga “Preportr” lidhur me dëmtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore nga gurthyesit ka gjetur se janë mbi 200 licenca aktive të tyre që rrezikojnë zonat e mbrojtura nga shteti.

Hulumtuesi Mirlind Behluli ka thënë se ka problem me ligj se moskoordinim institucional për këtë çështje.

“Janë mbi 200 licenca, shumica aktive që janë dhënë në zona të mbrojtura nga shteti, si në Graboc ku ka mbetje arkeologjike dhe kemi pa që janë mbi 7-9 aktivitete të gurthyesve. Të tilla ka kudo në Kosovë. Janë mbi 200 licenca aktive që mund të rrezikojnë zonat arkeologjike”.

“Kemi problem me ligjin, ligji u lejon kompanive të punojnë me gurthyes në 100 metra larg zonës së mbrojtur arkeologjike. E keqja a këtij procesi është se nuk ka ende simetri të zonave arkeologjike. Një prej gjetjeve të hulumtimit është se ka moskoordinim institucional, nuk komunikohet mes Institutit Arkeologjik dhe KPMM-së. Te Maja e Zezë në Obiliq supozohet se janë varre ilire nën tokë dhe nuk arrijnë të zbulojnë se ku janë saktësisht dhe KPMM-ja e licencon”, ka thënë Behluli.

Ndërkaq, hulumtuesja Drenusha Canolli ka treguar tri rastet që kanë gjetur ku objektet janë dëmtuar nga gurthyesit.

“Kemi identifikuar disa raste të trashëgimisë kulturore që janë duke u dëmtuar nga gurthyesit. Janë mbi 1173 raste gjithsej që MKRS i ka nën mbrojtje e që ne kemi identifikuar tri raste që janë duke u shkatërruar dhe dëmtuar nga gurthyesit që po kryejnë veprimtarinë e tyre afër. Është Kalaja e Lipës, Maja e Zezë dhe në Dollc të Klinës, janë këto tri raste që ka hasë Instituti Arkeologjik që janë duke punuar gurthyesit afër këtyre monumenteve. E kemi identifikuar edhe vetë një rast, që është Kisha Ortodokse në komunën e Kllokotit”, tha ajo.

Canolli bëri të njohur se përveç dëmtimit të objekteve, dëm i është shkaktuar edhe ambientit, sidomos te Kalaja e Lipës.

Behluli ka treguar edhe procedurën se si u dha leja për Kalanë e Lipës. Ai në emisionin “60 Minuta” të KOHËS tha se banorët prej vitesh protestojnë për ta mbrojtur.

“Për Kalanë e Lipës disa herë kanë protestuar banorët. Historiku me gurthyesit në Kalanë e Lipës nuk është e re, është nga 2013 është një kompani e licencuar. Ai e merr lejen nga KPMM për të punuar me gurthyes në një zonë të mbrojtur në Institutin Arkeologjik. Kemi arritur të kuptojmë se kompania është e një ish-komandanti të UÇK-së jashtëzakonisht të fuqishëm në rajonin e Pejës. Bashkëshortja e tij ka qenë pronare disa vite, pastaj është ndërruar dhe tash është vajza e tij. Banorët vazhdojnë ta mbrojnë Kalanë”, tregoi Behluli.