Arbëri

Mbi 1 mijë raste të reja me kancer në Kosovë brenda 6 muajve

Klinika e Onkologjisë

Sipas të dhënave të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbi një mijë raste të reja me kancer janë identifikuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar rritje kështu për 5 për qind të pacientëve të prekur me këtë sëmundje malinje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. 

Sipas drejtorit të Klinikës, Ilir Kurtishi, kanceri i gjirit vazhdon të dominojë, me mbi 200 gra dhe një burrë që janë diagnostikuar në stade të ndryshme të sëmundjes.

Kurtishi në një intervistë për KP-në ka thënë se pas kancerit të gjirit, më i shprehur është ai mushkërive, me të cilin brenda gjashtë muajve janë diagnostikuar rreth 170 pacientë të gjinisë mashkullore.

“Në bazë të dhënave që ne i kemi momentale dhe të cilat i kemi në përpunim e sipër, del që për këto gjashtë muaj gati të kemi një numër përafërsisht të njëjtë si vitin e kaluar, meqenëse këto dy muajt e fundit kemi pak më pak dhe ndoshta pak më shumë se vitin e kaluar. Pra, rreth 1 mijë, 1 mijë e 50 raste të reja të identifikuar me kancer të llojeve të ndryshme ... Kemi një rritje pak më të lehtë, ndoshta për pesë për qind. Këtë vit ka qenë vetëm një rast me kancer të gjirit mashkull”, ka theksuar Kurtishi.

Kurtishi thekson se fluksi i madh i pacientëve në këtë klinikë rrit nevojën për shtimin e numrit të infermierëve. Ai thotë institucionet përkatëse janë njoftuara me kohë për këto nevoja, për çka ka thënë se shpreson që sa më shpejtë të shtohet stafi.

"Numri i madh i pacientëve që e frekuentojnë klinikën bën që puna të jetë shumë e lodhshme, me sfidë dhe të ketë një ndikim shumë të madh edhe në organizimin e krejt kësaj procedure. Gjatë gjashtë mujorit të parë kemi pasur 3 infermierë të cilët kanë migruar në botën e jashtme dhe kanë liruar vendet e tyre të punës. dhe këtë muaj, muajin korrik edhe dy të tjerë do të vazhdojnë jetën e tyre diku tjetër dhe ne me kohë e kemi lajmëruar QKUK-në dhe SHSKUK-në për nevojat tona...A janë zëvendësuar 3 infermierët? Nga atëherë jo, meqenëse nuk ka pasur konkurs...Ne në klinikë kemi 24 infermierë në shërbimin e kimioterapisë dhe kemi 13 teknikë të radioterapisë", ka theksuar Kurtishi.

Ndërkaq, për furnizimin me barna, ai ka theksuar se posedojnë mbi 90 për qind të barnave. Ai ka thënë se edhe pesë lloje të barnave që janë në listë esenciale, për të cilat kanë pritur për disa muaj, veçse janë siguruar.

"Me barna esenciale qëndrojmë shumë mirë. Ne kemi mbi 90 për qind të barnave të listës esenciale, ndoshta edhe më shumë. Me ardhjen e disa barnave që janë tenderuar nga SH-ja, barna të cilat i kemi pritur disa muaj e që nuk kanë pasur autorizim marketingu, 5 nga ta veç kanë arritur", ka deklaruar Kurtishi.