Vendi që njihet si “mushkëritë e Kamenicës” është kthyer në deponi mbeturinash.
Pavarësisht aksioneve të shumta të pastrimit vitin e kaluar, këtu sërish janë grumbulluar mbeturina, raporton KTV.
Për më tepër, qytetarët nuk kanë kursyer as lumin Krivareka, uji i të cilit përdoret për pije.
Kamenica ishte shpallur komuna e tretë me performancën më të mirë gjatë fushatës së pastrimit dhe, për këtë, si shpërblim kishte fituar 150 mijë euro.
Udhëheqës të kësaj organizate thonë se paratë duhet të shfrytëzohen për atë çfarë janë të dedikuara.
Por, në Komunën e Kamenicës kanë thënë se shumë qytetarë nuk janë duke bashkëpunuar me kompaninë që menaxhon me mbeturina.
Sipas tyre, me paratë e fituara, përveç tjerash, janë duke planifikuar blerjen e kontejnerëve për secilën familje.
Faton Jakupi, nënkryetar i Kamenicës, ka paralajmëruar inspektime më të shpeshta dhe gjoba për qytetarët që hedhin mbeturina dhe nuk pranojnë të lidhin kontrata me kompaninë për menaxhimin e mbeturinave.