Trajtimi jo adekuat i mbetjeve të automjeteve nga ana e grumbullueseve të tyre, po shqetëson shumë ambientalistët në Kosovë.
Luan Hasanaj, nga organizata “Let’s Do It Kosova”, vlerëson se mënyra e grumbullimit dhe trajtimi i këtyre mbetjeve ndikon keq në mjedis dhe në shëndetin e qytetarëve. Ndërkaq në Ministrinë e Mjedisit thonë se nuk ka vend për shqetësim.
Përveç numrit të madh të automjeteve të vjetra që qarkullojnë çdo ditë nëpër rrugët e Kosovës, shqetësim për ambientalistët është edhe trajtimi jo adekuat i mbetjeve të automjeteve. Luan Hasanaj, nga organizata “Let’s Do It Kosova”, tha për Radio Kosovën se mbetjet e automjeteve nuk trajtohen si duhet nga grumbulluesit e tyre, përderisa trajtimi jo adekuat ndikon direkt në ndotjen e ambientit.
“Është me të vërtetë një dëm i madh që i shkaktohet mjedisit, shoqërisë edhe shëndetit. Nuk kam informacion që ka ndonjë rregullore që rregullon funksionimin e tyre, shumica e tyre janë buzë rrugëve kryesore. Duhet medoemos të mendohet të gjendet një zgjidhje.”
Hasanaj kërkon që institucionet kompetente të kontrollojnë grumbullimin e këtyre mbetjeve dhe të dënojnë të gjithë ata që nuk u përbëhen standardeve të parapara me ligj.
Lidhur me këtë problem, Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, se a janë të licencuara dhe sa inspektohet puna e këtyre pikave grumbulluese. Sipas Bajram Kadriut, zyrtar për informim në ketë ministri, kompanitë për menaxhimin e mbetjeve të automjeteve janë të licencuara dhe puna e tyre inspektohet. Në një përgjigjeje me shkrim, Kadriu tha se ministria kontrollon veprimtarinë e këtyre kompanive përmes inspektoratit mjedisor.
Edhe
Banorët kërkojnë nga Komuna e Prishtinës qytet pa mbeturina
“Kompanitë që menaxhojnë mbeturinat nga makinat, vlerësohet se i plotësojnë kushtet për menaxhimin e mbeturinave në fjalë dhe sigurisht se edhe qytetarët nuk janë të rrezikuar”, tha Kadriu.
Ndërkohë, Radio Kosova ka provuar të marrë një prononcim edhe nga udhëheqësit e pikave grumbulluese në lidhje me funksionimin dhe punën e tyre, por ata nuk ishin të gatshëm të përgjigjen.
-
KMDLNJ reagon për situatën me mbeturina: Po krijohen kushte për përhapje të epidemive
-
Ekspertët e mjedisit kritikojnë institucionet për moskonsolidim të sistemit për riciklim të mbeturinave
-
MMPHI-ja shpërndan kontejnerë, por ekspertët vlerësojnë se kjo s’është zgjidhje
-
Rritet deponimi i mbeturinave në Kosovë