Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbetet shqetësim mos transparenca e institucioneve

Një kërkesë për qasje në raportet financiare dhe në shpenzimet e disa partive politike, drejtuar KQZ-së nga Instituti Demokratik i Kosovës, e cila qe përsëritur dy herë brenda janarit të 2017-s, nuk kishte marrë kurrë përgjigje. Kjo ka nxitur reagimin e Avokatit të Popullit, i cili ia tërheq vërejtjen KQZ-së për shkelje të ligjit.

Avokati kishte kërkuar arsyetimin e KQZ-së për mos-përgjigjen ndaj KDI-së, por as ai nuk kishte marrë përgjigje, raporton KTV.

Për çka ky institucion ka nxjerrë një letër rekomanduese, duke i kujtuar KQZ-së se e drejta për qasje në dokumentet publike është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, ligjin për qasje në dokumentet publike, Konventën Evropiane për të Drejtat e njeriut dhe ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili obligon organet publike të veprojnë me transparencë.

Por, KQZ-ja, e cila përgjigjen e pyetjes së KDI-së, e ka dhënë vetëm të premten ,pas kërkesës së tretë, thotë se dokumentet financiare të partive politike janë publike që në momentin e parë kur auditohen.

KDI-ja dhe të gjitha organizatat e tjera mund të kenë qasje në dokumentet e publikuara në ueb faqen e KQZ-së. Raportet financiare të partive publike ne nuk i auditojmë, por ato i bëjnë auditorët e përzgjedhur nga Kuvendi. Konform ligjit për financimin e partive politike edhe rregullores së KQZ-së, zyra e partive politike në këtë institucion azhurnon dhe i mirëmban dokumentet edhe në versionin përfundimtar të raporteve financiare”, ka thënë Miradie Mavriqi.

Por KDI-ja thotë se po kërkon qasje pikërisht në raportet e paaudituara financiare të partive politike dhe për këtë, ka në plan ta padisë KQZ-në, pasi beson se vetëm në këtë formë, institucione do të lejojnë qasjen në dokumentet që realisht janë publike.

Ndërkohë, dhjetëra kërkesa për qasje në dokumentet publike e qindra kërkesa për informacion dërgohen nga gazetarët kosovarë në institucione të ndryshme, shumica prej tyre kurrë nuk marrin përgjigje.

Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, tregon për vështirësitë që has ai dhe koleget e tij për të arritur deri te dokumentet, të cilat realisht do të duhej të ishin publike.

Ligji për qasje në dokumente publike, ka hyrë në fuqi në vitin 2010 dhe ai përveç që u mundëson mediave, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve qasje në dokumente, obligon institucionet që të caktojnë zyrtarë që do të merren me kërkesat për dokumente zyrtare.

Artikuj të ngjashëm