Qasja në dokumente zyrtare në Kosovë parashihet me ligj. Por, gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kanë më së shpeshti kërkesa për qasje në këto dokumente, kontestojnë transparencën e institucioneve.
Pakënaqësive të tyre, u është përgjigjur edhe Qeveria e Kosovës përmes një Raporti Gjithëpërfshirës të institucioneve publike për realizmin e të drejtës për qasje në dokumente publike, ku thuhet se institucionet kanë qenë të hapura për 92 për qind të kërkesave.
Sipas të dhënave në këtë raport, për vitin 2018, nga 2350 kërkesa për qasje në dokumente publike, 2170 prej tyre (apo 92 për qind) kanë marrë përgjigje pozitive, 148 kërkesa (apo 6 për qind) janë refuzuar kurse për 42 kërkesa (apo 2 për qind) është ofruar qasje e pjesshme.
Gazetarja Ardiana Thaçi-Mehmeti, e cila është edhe anëtare Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), vlerëson se institucionet nuk janë të hapura. Sipas saj, drejtuesit e institucioneve janë selektivë në dokumentet në të cilat ofrojnë qasje dhe të prirë të fshehin kontratat e rëndësishme.
“Institucionet e Kosovës janë të prira të japin qasje në ato dokumente publike të cilat i përkasin një legjislature tjetër, apo një ministër lejon qasje në dokumentet që nuk i ka nënshkruar vetë, por ministri paraprak, apo anasjelltas institucionet tjera. Menaxherët duan, shpeshherë që përmes moslejimit të qasjes në dokumente publike të mbajnë të fshehta kontratat të cilat i bëjnë”.
“Kryesisht bëhet fjalë për kontratat të cilat janë milionëshe dhe kanë të bëjnë me buxhetin, me buxhetin e keqpërdorur të Republikës së Kosovës. Dhe kjo bëhet përmes lidhjes së kontratave të dyshimta, të cilat e kanë një klauzolë, tash është bërë modë nëse mund të themi, ku secila kontratë që nënshkruhet thuhet se është e mbyllur për publikun. Realisht ato nuk do të duhej të ishin të mbyllura për publikun, sepse janë para të taksapaguesve të Kosovë, janë para që i paguajnë qytetarët e Kosovës dhe ata do të duhej të dinin se nga shkojnë ato para”, vlerëson ajo.
Edhe drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, vlerëson se institucionet publike në Kosovë nuk janë gjithmonë të hapura dhe se ofrojnë qasje vetëm në një pjesë të dokumenteve publike.