Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbahet takimi i gjashtë Kosovë-Serbi, ende s’ka zgjidhje përfundimtare për targat

Të premten në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të veturave, ka bërë të ditur emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në një shkrim në Twitter, ai ka thënë se ekspertët e BE-së kanë ndihmuar dy delegacionet të identifikojnë opsionet ekzistuese dhe ndikimet teknike. Megjithatë, pavarësisht 6 takimeve ende s’është arritur në një zgjidhje përfundimtare. Lajçaku ka thënë se “tash është koha për t’u angazhuar për gjetjen e gjuhës së përbashkët”.

Takimet e grupeve punuese parashihen në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e patën arritur në Bruksel më 30 shtator. Dy pikat e para të realizuara ishin zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa.

Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Zgjidhja për mbulesë të targave është zgjidhje kalimtare dhe pika e tretë parasheh gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Takimet patën nisur në fund të tetorit. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë grupi punues duhet të paraqesë rezultatet për zgjidhjen e përhershme, te formati i nivelit të lartë të dialogut.