Mbrojtja e burimeve ujore si dhe ndërtimi i hidrosistemeve të reja, tha të kenë qenë prioritet i tij, ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.
Në konferencën e fundit për këtë vit, ai shpalosi arritjet dhe sfidat që e shoqëruan gjatë punës, raporton KTV.
Problemi i sigurimit të ujit të pijshëm për kosovarët, sipas ministrit Matoshi, pritet të zgjidhet me ndërtimin e hidrosistemit KIKË-Kremenatë, projekt i bashkëfinancuar me Bankën Botërore.
Një tjetër sfidë, me të cilën është përballur vazhdimisht kjo ministri, është edhe ajri i ndotur.
Rregullimi i shtretërve të lumenjve në të gjitha komunat e Kosovës, si dhe ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, janë disa nga projektet që Matoshi tha të kenë filluar gjatë mandatit të tij e që janë duke vazhduar.
Matoshi iu përgjigj edhe pyetjeve për lejet për operimin e hidrocentraleve në vend.
Tutje, ministri në detyrë i Mjedisit shtoi se inspektorati ka bërë 790 vizita në terren, ka shqiptuar qindra gjoba dhe ka iniciuar 85 raste në gjykatë.
Përveç konferencës, ministri shpërbleu me mirënjohje për kontributin e saj Nezakete Hakajn, udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtjen e Mjedisit, tashmë e pensionuar.