Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të ‘Fondacioni Mileniumi i Kosovës’, Petrit Selimi, drejtoreshën për Kosovë të “MCC Millennium Challenge Corporation”, Sarah Olmstead, drejtorin për programin e qeverisjes, Agron Kelmendi dhe specialisten e hapjes së të dhënave, Gentiana Mahmuti.
Ky takim është realizuar në kuadër të bashkëpunim mes MMPH-së, MCC-së dhe JICA Japoneze, për projektin që do të realizohet për përmirësimin e sistemit të monitorimit të cilësisë ajrit, i cili projekt është në kuadër të programit “Threshold” për Kosovën që përfshinë sektorin e mbrojtjes së mjedisit.
Matoshi, gjatë këtij takimi tha se projektet për përmirësimin e mjedisit, të mbështetura nga donatorët ndërkombëtar, kanë rëndësi të madhe për MMPH-në.
“Projektet për përmirësimin e mjedisit me donatorë siç është MCC-ja dhe JICA Japoneze i vlerësojmë shumë. Si Ministri e Mjedisit kemi objektivë që të dalim sa më suksesshëm në projektet që kemi si institucion dhe projektet që kemi me donatorët tanë. Jam i përkushtuar të shtojë numrin e donatorëve për ministrinë tonë”, tha Matoshi.
Gjatë takimit, Matoshi tha se përmirësimi i gjendjes së ajrit në Kosovë, nuk mund të bëhet pa ndihmën e donatorëve ndërkombëtar ndërsa premtoi që MMPH-ja do t’i kryej të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i ‘Fondacioni Mileniumi i Kosovës’, Petrit Selimi, ka falënderuar u.d ministrit Matoshin për bashkëpunim ndërsa ka treguar për hapat që janë duke u ndërmarrë për projektin që do të realizohet në përmirësim të sistemit të monitorimit të ajrit.
Edhe
Matoshi kërkon që Kosova të ketë qasje në fondet globale të mjedisit, për të luftuar ndotjen e ajrit
Selimi ka treguar se shumë shpejt do të fillojnë përgatitjet teknike për lansimin e softverit të përhershëm për paraqitjen e të dhënave në kohë reale përmes sistemit online, ku qytetarët e Republikës së Kosovës mund të informohen për cilësinë e ajrit.
Projekti në fjalë ka tri komponentët dhe ka për objektiv të mbështesë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në përmirësimin e sistemit të monitorimit të cilësisë ajrit, përpunimin e të dhënave dhe ofrimin e këtyre të dhënave në kohë reale përmes sistemit online.