Shajkofc/Podujevë, 7 gusht - Betejë në luftën për ujë të pijshëm e ka quajtur nisjen e projektit të ujësjellësit për Orllanin dhe fshatrat përreth ministri në ikje i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.
Pasi kanë filluar punimet për këtë projekt në afërsi të Fabrikës së ujit në Shajkofc të Podujevës, Matoshi ka thënë se ka qenë padrejtësi mbetja e banorëve të fshatit Orllan jashtë ujësjellësit, ndërkohë që kanë jetuar përskaj liqenit nga i cili furnizohen disa komuna të Kosovës.
“Sot po e fillojmë ose, më mirë po themi, po e fitojmë edhe një betejë në luftën tonë për ujin e pijshëm. Nuk është vetëm Kosova si vendi më i varfër në luftë për ujin e pijshëm, është e gjithë Evropa. Ndërsa definitivisht Kosova në këtë segment qëndron më së dobëti. Do të thotë përfundimisht jemi vendi më i varfër sa i përket ujit të pijshëm”, ka thënë të mërkurën Fatmir Matoshi, shkruan Koha Ditore. “Ka dhjetëra e qindra fshatra nëpër Kosovë që sot nuk e gëzojnë të drejtën e qasjes në ujë të pijshëm, ndërsa rasti më i padrejtë ose padrejtësia më e madhe u ka ndodhur me vite të tëra banorëve të fshatit Orllan, ku nga ai vend furnizohet pothuajse e gjithë Prishtina dhe Podujeva, ndërsa vetë banorët kanë qenë të privuar nga kjo e drejtë”.
Ministri në ikje i MMPH-së ka thënë se projekti pritet të përfundojë në një afat rekord, duke mos potencuar data.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është e lumtur dhe e kënaqur që ka arritur të mbështesë këtë projekt me rreth 1 milion euro, duke i falënderuar edhe partnerët tanë, Komunën e Podujevës, kompaninë regjionale të ujësjelësit ‘Prishtina’, Qeverinë e Kosovës, koordinatorin Besnik Tahiri, dhe duke i falënderua edhe banorët e Orllanit që e kanë pasur durimin deri në ditën e fillimit të këtij projekti”, është shprehur Matoshi. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)
-
Fillon ndërtimi i ujësjellësit për fshatin Orllan
-
Ministria e Komuna shtyhen për financimin e ujësjellësit në Orllan
-
Orllani po bëhet me Ujësjellës, premton Matoshi
-
Banorët e Orllanit protestuan para MMPH-së, ministri i thërret në takim për t’u sqaruar rreth çështjes së ujësjellësit
-
Ujërat e zeza të Orllanit derdhen në liqenin e Batllavës