Ndonëse në muajin maj, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ia ka dërguar listën e propozuar me numrin e studentëve që do t’i pranojë në afatin e parë në nivelin bachelor, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ende nuk e ka aprovuar këtë listë.
Për afatin e parë të konkursit, UP-ja ka propozuar që t’i pranojë 8.512 studentë, shkruan sot Koha Ditore.
Rektorati i UP-së në një përgjigje për gazetën ka thënë se po e presin aprovimin e MASHT-it dhe se pas kësaj do të mblidhet Senati për ta hapur konkursin.
“Vendimi për datën e shpalljes së konkursit do të merret në mbledhjen e Senatit, pasi të pranojmë kuotat për numrin e studentëve nga MASHT-i. Në afatin e parë të konkursit, në nivelin bachelor kemi propozuar të pranojmë gjithsej 8.512 studentë, prej të cilëve 7.602 të rregullt dhe 910 me korrespondencë. Natyrisht, numri përfundimtar që do të kërkohet në konkurs përcaktohet nga MASHT-i”,thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së.
Nga numri i përgjithshëm i propozuar i UP-së, 150 vende do të jenë të rezervuara për familjarët e dëshmorëve, 901 për minoritetet, ndërkaq 372 për studentë jokosovarë. Kandidatët që duan të sigurojnë një ulëse si studentë në Universitetin e Prishtinës, paraprakisht duhet t’i nënshtrohen provimit pranues në fakultetin që aplikojnë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)