Gjashtë muaj pas miratimit, “Kurrikula bërthamë për edukimin në fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç” pritet të rishikohet nga Ministria e Arsimit.
Ky dokument i miratuar në shtator të vitit të kaluar nga ish-ministri Shyqiri Bytyqi nuk gjeti zbatim, meqë institucionet parashkollore u ankuan se nuk u morën parasysh komentet dhe vërejtjet e tyre.
Ministria e Arsimit në një përgjigje për KOHËN ka theksuar se do të angazhohet që kjo kurrikulë të vlerësohet me kujdes dhe përfshirje të të gjithë aktorëve, në mënyrë që ajo të përmirësohet.
“Kjo për faktin se dokumenti kurrikular është dokument bazë për edukatorët që punojnë me fëmijët në moshën e hershme. Pra, edukatorët do të mbështeten mbi këtë dokument, si bazë për planifikim të mirëfilltë të punës me fëmijët e këtij niveli”, ka thënë Zyra për Media e Ministrisë së Arsimit.
Edukatorja Valentina Pacolli ka thënë se presin që kurrikula e rishikuar t’ua lehtësojë punën, meqë në mungesë të saj iu duhet të punojnë me një dokument tjetër.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka kritikuar Ministrinë që tash e disa vjet nuk ka arritur ta hartojë një dokument për fëmijërinë e hershme.
Ai e ka mirëpritur vendimin për rishikimin e kurrikulës 0-5 vjeç pasi, sipas tij, zbatimi i këtij dokumenti ka qenë vështirë që të realizohej nga institucionet parashkollore.
Disa nga vërejtjet e institucioneve parashkollore për kurrikulën që do të rishikohet ishin që dokumenti është i mangët, pa gjëra konkrete për fëmijët, përmban thënie filozofike e i mungon planprogrami.
Në institucionet parashkollore në Kosovë punohet vetëm me kurrikulën 3 deri në 6 vjeç.
Ndërkaq mosha 0 deri në 3 vjeç, në mungesë të kurrikulës, punon me dokumentin “Standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme 0 deri në 6 vjeç”, i hartuar nga MASHT-i në vitin 2011.