Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Marrëveshja për presidentin në rrezik, 6 deputetë të LDK-së dalin kundër

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Marrëveshja e Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin për Bekim Sejdiun si kandidat për president ka hasur në kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së. Kryetari i kësaj partie, Abdixhiku, ka thënë se qëndrimi i tyre rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala kanë dalë kundër marrëveshjes

Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës i kanë dalë kundër dakordimit të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, me Albin Kurtin e Vetëvendosjes për propozimin e Bekim Sejdiut për president.

Në një konferencë të mbajtur të martën, pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, Abdixhiku i ka fajësuar deputetët kundërshtues se po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve.

“Kjo nuk ishte betejë me mua, beteja me mua përfundoi në Kuvendin e LDK-së. Ishte betejë për Republikën e Kosovës. Profesor doktor Bekim Sejdiu është kandidat i shkëlqyeshëm i propozuar nga LDK-ja dhe siguronte balancë institucionale e do të ndalonte çdo tendencë të shkeljes së Kushtetutës dhe do ta mbronte Kushtetutën edhe përballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje...Konsideroj se fatkeqësisht pozicioni kundër vendimit të Kryesisë e kundër LDK-së është i dëmshëm për Republikën e patjetër për LDK-në. E çdo palë zgjedhje të ardhme, për shkak të këtyre refuzimeve, do të jenë me pasoje edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”, ka thënë Abdixhiku. 

Përveç Avdullah Hotit, i cili të hënën e kishte bërë publik kundërshtimin e tij, Abdixhiku ka njoftuar se kundër marrëveshjes janë edhe Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala.

Ndaj tyre, ai ka lënë të hapur edhe ndërmarrjen e masave. 

“Ka apetit të jashtëzakonshëm për të shtyrë agjenda që nuk janë të LDK-së. Secili njeri që nuk respekton vendimet e Kryesisë më së paku që do të duhet të bënte, nëse ndihet përfaqësues i LDK-së, nëse asgjë të dorëzonte mandatin e deputetit”, ka thënë Abdixhiku. 

Të martën fillimisht është mbledhur Kryesia e LDK-së, e cila përmes një deklarate ka kërkuar nga të gjithë deputetët e partisë ta respektojnë marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit.

Në vendimin e marrë nga kryesia thuhet se “ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

E deputetja Hykmete Bajrami ka thënë mbështetja që e ka marrë nga qytetarët, jo vetëm në zgjedhjet e fundit sipas saj, nuk është për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit.

“Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arrit të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur”, ka shkruar Bajrami në një status në Facebook.

Ajo ka thënë se për të është e papranueshme që në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhen pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin, siç e ka cilësuar ajo, të koncentruar, Albin Kurtit.

“Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie. Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi. Jam kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u prezantohet si fakt i kryer”, ka shkruar Bajrami.

Deputetja Janina Ymeri po ashtu është shprehur e vendosur që të mos i zgjatet pushteti Albin Kurtit.

“Një kryeministër si Albin Kurti është argat i mafisë energjetike. Edhe sot, me gjithë pasojat për pozitën time brenda partisë, vendos të mos e votoj zgjatjen e pushtetit të tij. Pushtet i komprometuar dhe antikombëtar. Kandidati për President, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja. Shpresë ka kur njerëzit vendosin për një të ardhme më të mirë, dhe kjo ditë duhet të jetë e tillë. Do të qëndrojmë për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Për Republikën tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjatë ditës së martë, lideri i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se shpreson se “gjithçka të shkojë mirë”. Por pak orë më vonë ky dakordim i tij me Abdixhikun është vënë në rrezik.

Me gjashtë deputetë kundër marrëveshjes, LDK-ja tash i ka në dispozicion 12 vota për zgjedhjen e presidentit.

Abdixhiku ka thënë se nuk mund të ofrojë më shumë se kaq vota për zgjedhjen e presidentit.

“Ndiej keqardhje e kërkoj falje. Kaq munda. Nuk mundem më tepër. Jo me këtë Grup Parlamentar, me këtë përçarje, me këtë ndarje. Nuk mundem më tepër”, ka thënë ai.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, eksponentë të LVV-së kanë deklaruar se i kanë 62 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Me 12 votat e LDK-së, ky numër do të arrinte në 74 deputetë.

Kjo nuk mjafton për zgjedhjen e presidentit.

Në dy raundet e para nevojiten të paktën 80 vota për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, nëse në dy raundet paraprake në votim kanë marrë pjesë së paku 80 deputetë.