Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike e tregtare midis Kosovës e Tajlandës

Ambasadori i Kosovës, Muhamet Brajshori, zhvilloj një takim me kryeministrin e Tajlandës, Prayut Chan-o-cha, me të cilin u shkëmbyen pikëpamje rreth bashkëpunimit dypalësh, duke theksuar zgjerimin e marrëdhënieve në 7 vitet e fundit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Tajlandës.

Tajlanda është një aleat diplomatik i Kosovës në Azinë Juglindore. Marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera dhe zgjerimi i marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike dhe shkëmbimi i njerëzve janë fusha në të cilat po punojnë të dyja vendet. Hapja e ambasadës së parë rezidente të Kosovës në ASEAN ofron një mundësi të mirë për të hyrë në një treg me më shumë se 600 milionë njerëz për kompanitë dhe komunitetin e biznesit të Kosovës.

Ambasadori Brajshori përgëzoi kryeministrin për menaxhimin e mirë të situatës së Covid19 në Tajlandë. Kryeministri ofroi mbështetjen e Tajlandës në sektorin e shëndetit publik dhe shprehi gatishmërinë e Tajlandës për të ndihmuar Kosovën me vaksinën që po hulumtohet nga institucionet përkatëse në Tajlandë.

Kryeministri Prayut Chan-o-cha shprehu vullnetin e fuqishëm të qeverisë së Tajlandës për të punuar me Kosovën në diplomacinë dixhitale dhe iniciativën ndërfetare të Ministrisë së Punëve të Jashtme në të cilën Kosova dhe Tajlanda mund të punojnë së bashku në arenën ndërkombëtare.

Nënshkrimi i disa marrëveshjeve bilaterale dhe heqja e ndërsjellë e regjimit të vizave janë prioritet aktual në axhendën bilaterale. Të dyja vendet do të shkëmbejnë vizita të nivelit të lartë dhe do të organizojnë në të ardhmen e afërt një forum biznesi.