Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se 221 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës e kanë ndërprerë punën në këtë institucion që nga viti 2023.
Sipas tij, më shumë se gjysma prej tyre janë larguar për mundësi jashtë FSK-së, duke lëvizur nëpër institucionet tjera.
“221 pjesëtarë të FSK-së kanë ndërprerë shërbimin gjatë vitit 2023. Shumica e tyre, 129 për mirëqenie, mundësi jashtë institucionit, lëvizje në Policinë e Kosovës”, ka thënë Maqedonci gjatë raportimit të tij në Komisionin për Siguri.
Ai më tej është pyetur nga anëtari i këtij komisioni, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, nëse është e vërtetë që ka zhvilluar një takim me koordinatoren e Komitetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalin dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
“Kam pasur takim të rastësisht me Dejona Mihalin gjatë ecjeve në Gërmi”, ka thënë Maqedonci.
Berisha ka reaguar duke thënë se Maqedonci duhet t’i raportojë deputetëve dhe jo personave të tjerë.
“S’ke nevojë të takohesh me Dejonën, ti i raporton komisionit, deputetëve e jo Dejonës. Nuk ka takime të rastësishme”, ka thënë ai.
Përpos Salih Zybës që ndonëse nuk është anëtar, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit, anëtarët e tjerë të partisë në pushtet lëshuan mbledhjen.
Një përplasje mes Zybës e deputetit të PDK-së, Hisen Berishës, ndodhi kur ky iu drejtua me fjalët “ti je rritë në Partinë Demokratike, për korrupsion të kemi largu”.
Berisha kërkoi që Zyba të largohet nga mbledhja.