Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mangësitë e aktgjykimit të Kushtetueses për seancën konstituive

Behane aktgjykimit të Kushtetueses i kanë gjetur edhe ish-gjyqtarë të saj. Vërejtjen lidhen me sanksionet për kryesuesin e seancës, për detyrimin e deputetëve për të votuar dhe për mungesën e listimit të pasojave kushtetuese në rast të moszbatimit të aktgjykimit.

Njohës të Kushtetutës i kanë gjetur mangësi disa pikave të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, në një intervistë për Evropën e Lirë ka thënë se vërejtjen lidhen me pasojat për kryesuesin e seancës dhe për detyrimin e deputetëve për të votuar.

“Është e çuditshme se si mund të konstatohet shkelja kushtetuese e zotit Avni Dehari dhe i njëjti të urdhërohet të vazhdojë aty ku e ka shkelur Kushtetutën. Kjo nuk mund të arsyetohet me standardet e gjyqësisë kushtetuese. Dhe e dyta, ju e dini, edhe në aktgjykimin e vitit 2014, edhe në atë të para një muaji të Gjykatës Kushtetuese, është thënë se deputetët duhet të rrinë dhe të votojnë, por tani gjykata i urdhëron. Edhe kjo bie ndesh me postulatin e mandatit të lirë dhe besoj se kjo është vështirë e pajtueshme me standardet kushtetuese”, ka thënë ai.

E ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, ka konstatuar se me vendimin e ri gjykata e ka rishkruar Kushtetutën.

“Vendimi që e drejta e nominimit të një kandidati të caktuar të kufizohet në tre herë nuk ka bazë në dispozitat materiale të Kushtetutës… Gjykata nuk ka treguar çfarë ndodh pas skadimit të afatit 30-ditor, pra cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit. Po ashtu Gjykata nuk ka treguar çfarë pasojash juridike kanë deputetët që nuk i binden pikës 5 të vendimit, gjegjësisht urdhrit që të jenë të pranishëm dhe të votojnë”, ka thënë ai.

E, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, shprehu pritjen që pasojat për deputetët që nuk i binden aktgjykimit, të qartësohen me aktgjykimin që i referohet kërkesës së presidentes Vjosa Osmani.

Edhe Pas aktgjykimit të Kushtetueses, opozita kërkon që seanca të thirret sa më shpejt Arbëri Pas aktgjykimit të Kushtetueses, opozita kërkon që seanca të thirret sa më shpejt

“Për sa kohë që nuk përcaktohen sanksione, pasoja juridike afate të tilla do të jenë të destinuara për të mos u respektuar nga akterët politikë. Sepse problemi është mungesa e vullnetit politik, jo se paritë nuk e dinë se si duhet të veprojnë apo se si duhet të sillen por mungesë e vullnetit politik për të gjeture zgjidhje qoftë edhe kjo dakordim për të shkuar në zgjedhje që nuk përjashtohet si opsion”, ka deklaruar ai.

Nëpërmjet një kërkese presidentja Vjosa Osmani i kërkoi gjykatës t’i listojë pasojat kushtetuese që prodhohen nëse pas 30 ditëve prej kur nis seanca konstituive, nuk zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Ajo tërhoqi kërkesën, por gjykata ka diskrecion ta shqyrtojë lëndën ose jo.