Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maloku: 3-vjeçarja u nxor pothuajse e vdekur nga rrënojat, u shpëtua pas 2-orësh intervenime

Pjesëtari i ekipit të kërkim-shpëtimit nga Kosova në Turqi pas tërmetit të fuqishëm, Mentor Maloku, ka rrëfyer për shpëtimin e vajzës 3-vjeçare të martën pas nëntë ditësh që kur ka goditur ky tërmet pjesën juglindore të Turqisë.

Në një bisedë online për Interaktivin e KTV-së të mërkurën, Maloku ka thënë se trevjeçarja është nxjerrë nga rrënojat pothuajse e vdekur, por pas intervenimeve rreth 2-orëshe është arritur të shpëtohet.

Teksa ka treguar për këtë rast, Maloku ka thënë se të gjithë ushtarët, policët, ekipet e shpëtimit, që kanë marrë pjesë në këtë intervenim, nuk kanë mundur t’i mbajnë lotët kur kanë marrë lajmin se fëmija ka shpëtuar.

“Ekipi ka përjetuar shumëçka brenda kësaj jave. Kemi parë gjithçka dhe kemi përjetuar emocionin më të dhimbshëm të mundshëm. Kjo është eksperienca që e kemi përjetuar një herë në jetë dhe shpresojmë që nuk do të ndodhë më kurrë ta përjetojmë. Kemi shpëtuar një vogëlushe 3-vjeçare, është rrëqethëse, ajo ka qenë sikur e vdekur pas nxjerrjes nga rrënojat, mirëpo ushtarët i kanë parë lotët në sy dhe janë mobilizuar për ta mbajtur në jetë. Kas qenë shumë problem nuk është ditur deri pas dy ore se a po mundet të shpëtojë apo jo, e gjithë ai mundi shpaguhet me shpëtim të jetëve. Nuk ka pasur ushtarë, policë, ekipet e shpëtimit që kanë dhënë ndihmën e tyre dhe nuk kanë qarë kur e kemi marrë lajmin që ajo ka shpëtuar. Është një mrekulli se si ka mundur të mbijetojë ajo vajzë për 9 ditë e disa orë nën ato rrënoja”, ka thënë ai.

Maloku ka thënë se prej gjendjes që e kanë parë në këtë pjesë të Turqisë, 99 për qind e qytetit është e shkatërruar, ndërsa ka shtuar se numri i viktimave pritet të dyfishohet.

Edhe 296 orë pas tërmetit nxirren edhe tre të gjallë në Turqi, përfshirë një fëmijë Botë 296 orë pas tërmetit nxirren edhe tre të gjallë në Turqi, përfshirë një fëmijë

“Ka pasur raste që deri në orën 03:00 të mëngjesit kemi bërë kërkime, ka pasur raste që pasi jemi kthyer në kamp në orën 04:00 kemi shkuar për të bërë kërkim, asnjëherë nuk kemi bërë pushim sepse gjendja është shumë e tmerrshme, mund të them se 99 për qind e qytetit është e shkatërruar. Numri prej 35 mijë viktimave është shumë i vogël prej asaj se sa do të rritet, mund të them se deri në 50 mijë do të rritet në vijim”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se ende po arrihet të nxirren njerëz të gjallë nga rrënojat.

“Janë duke u gjetur njerëz të gjallë, dje vetëm kemi asistuar në një rast ku janë nxjerrë tre persona të lënduar, më vonë edhe shpëtimi i vajzës së vogël. Popullata është e frustruar me autoritetet e Turqisë, por duke i parë rrethanat mund të them se e ka menaxhuar situatën sepse e ka vendosur ushtrinë menjëherë për të mos pasur vjedhje, raste të dhunës etj”, ka shtuar ai.

Maloku shtoi se banesat në Turqi që u shkatërruan nga tërmeti, nuk ishin të ndërtuara sipas standardeve të kërkuara, e kjo situatë sipas tij, mund të ndodhë edhe në Kosovë, pasi siç tha ai, ndërtimet nuk kryhen siç duhet.

“Në Turqi kam parë banesat se si i kanë ndërtuar, në bazë të realitetit, kanë qenë banesat e dëmtuara. Unazat, mbajtësit e shtyllave të dëmtuar, e njëjta situatë është edhe në Kosovë. Në bazë të realitetit ku po jetojmë, ndërtimet s’janë me standard të duhur për tërmete”, tha ai.

Ai tha se Kosova duhet të bëjë më tepër për ekipet e kërkim-shpëtimit, që t’iu ndihmojë me pajisje dhe me trajnime.

Edhe Nxirret gjallë një vajzë e vogël në Turqi pas 178 orëve nën rrënoja Botë Nxirret gjallë një vajzë e vogël në Turqi pas 178 orëve nën rrënoja

“Shpresoj të mos ndodhë kurrë, por çka duhet të bëjë shteti është t’i mbështesë ekipet e kërkim-shpëtimit, të ketë trajnime më tepër, të pajisjen me pajisje, teknologji të lartë. NASA ka krijuar një pajisje emergjente që është përdorur për herë të parë. Pajisje shumë e vogël, por shumë e rëndësishme për shpëtimin e njerëzve”, tha Maloku.

Pjesëtari i kërkim-shpëtimit tha se operojnë si shoqatë joprofitabile, pa të ardhura.