Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maliqit i ndalohet hyrja në Serbi

Filozofit dhe kritikut të artit Shkëlzen Maliqit i është ndaluar sot hyrja në Serbi, në kufirin e Merdarës me Kosovë.

Policia kufitare e Serbisë nuk i ofroi informacion apo arsye për veprimin e tyre, sipas Kosovo 2.0.

“Maliqi po udhëtonte me dramaturgun dhe drejtorin e Qendrës Multimedia Jeton Neziraj dhe kryeredaktoren dhe fotografen e Kosovo 2.0, Besa Luci dhe Majlinda Hoxha. Ata planifikonin të merrnin pjesë në një diskutim me rastin e lansimit të publikimit ‘20 Vjet Përtej/Preko/Beyond’, që përmbledh një kronologji të 20 viteve të bashkëpunimit kulturor ndërmjet akterëve kulturor nga të dyja shtetet. Publikimi dhe diskutimi implementohen nga Center for Cultural Decontamination bazuar në Beograd dhe Kosovo 2.0, bazuar në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Pas ndalimit të Maliqit edhe anëtarët tjerë janë kthyer në Prishtinë. Sipas Kosovo 2.0, ky rast është kundër procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Ky vendim ishte bazuar në atë se, udhëtimi për në Beograd dhe pjesëmarrja në ngjarje vetëm sa do të kontribuonin në normalizimin e një praktike diskriminuese dhe trajtimi johuman të qytetarëve kosovarë. Për më tepër, rasti shkon kundër frymës së procesit të normalizimit ndërmjet dy shteteve, proces ky që ka dështuar të mbështes një nga parimet fundamentale të tij – lirinë e lëvizjes”, thuhet më tej në njoftim.

Artikuj të ngjashëm