Arbëri

Maliqi skeptik se do të ketë nënshkrime në Ohër: Kosova e keqlexoi momentin vitin e shkuar

Analisti politik Agon Maliqi është shprehur skeptik se do të ketë nënshkrime në takimin e së shtunës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Maliqi ka theksuar se Kosova po e paguan tash atë se çfarë ka bërë vitin e shkuar.

Skepticizmi i Maliqi është i lidhur me deklaratat e fundit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Mendoj që Escobari e dha një mesazh që i ul pritshmëritë. Paralajmëroi se nuk mund të ketë nënshkrim të marrëveshjes, por gjithashtu paralajmëroi se një marrëveshje më e madhe mund të arrihet brenda vitit. Shumë gjëra mbesin të paqarta si është rrjedha e zhvillimeve. Plani i zbatimit mund të paraqitet në të njëjtën formë si dokumenti që doli në Bruksel nga ndërmjetësuesit. Te të dy këto dokumente nuk mund të shohim ndonjë nënshkrim, por vetëm zotërim gojor që mund të ecet përpara”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Por Maliqi beson se nëse do të kishte nënshkrim do të ishte zotim më i fortë. Megjithatë, sipas tij, ndërmjetësuesit tani po e luajnë rolin e garantuesit dhe do të ketë masa ndëshkuese për palën që nuk i zbaton zotimet gojore.

“Mendoj që gjithsesi zotimet do të ishte më i fortë nëse do të ishte marrëveshje të nënshkruar. Ndërmjetësuesit po paraqiten jo vetëm si lehtësues, por edhe si garantues. Ndoshta do të kërkojnë llogari prej palëve për zotimet sikur të ishte një dokument i nënshkruar. Nëse plani i zbatimit parasheh një dinamikë specifike, atëherë do të jenë ndërmjetësuesit që do të sigurohen se do të ndodhë. Ata kanë renditur masa shpërblyese apo ndëshkuese për palët varet se si sillen apo si ecin me atë që është dakorduar gojarisht”, ka thënë ai.

Maliqi ka pasur kritika për sjelljen e Kosovës pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Thotë se institucionet e keqlexuan momentin dhe u hodhën në ofensivë. Kosova, sipas tani, tani po paguan kostot e asaj sjelljeje.

“Kosova e ka keqlexuar momentin. Konteksti ka qenë i favorshëm, është rikuptuar urgjenca për me zgjidh kontestin, është kuptuar rreziku që përbën pozita e cunguar e Kosovës – por Kosova e ka lexuar gabim, duke u munduar ta shfrytëzojë këtë moment duke shkuar me ofensivë në veri, me çështjen e targave apo zgjedhjeve, ndërsa Perëndimi nuk ishte i interesuar për eskalim, por për zgjidhje politike. U humb një vit i rëndësishëm me kauza të tilla, që i ka kushtuar Kosovës. Po i paguajmë edhe një kosto të asaj, ku një pjesë e presionit tani po i drejtohet Kosovës me Asociacionin”, ka thënë Maliqi.

Kurti e Vuçiqi do të takohen nesër [e shtunë] në Ohër. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se në takim fokusi është në zbatimin e Planit Evropian, pasi sipas tij, palët janë dakorduar për përmbajtjen e tij.