Konfirmimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në veri të Mitrovicës do t’i kthente proceset gjyqësorë në pikën zero dhe situata në Kosovë do të kthehej në kohën e para vitit 2013, ka thënë të mërkurën në “Sot” të KTV-së, Lavdim Makshana nga Zyra për ndihmë juridike në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas tij, lëndët gjyqësore atje mund të kthehen në pikën zero pasi siç ka thënë, ato lëndë duhet t’i marrë përsipër një gjyqtar dhe prokuror tjetër.
“Nëse veç se kthehemi në pikën zero dhe i kemi këto dorëheqje të konfirmuara kjo na kthen në kohën e para vitit 2013 kur Kosova nuk e ka pasur kontrollin e plotë në atë pjesë dhe ka qenë shumë e vështirë që qytetarët e asaj pjese t’i realizojnë të drejtat e tyre në gjykata prokurori dhe shumë institucione të tjera të asaj pjese”, ka thënë Makshana.
Sipas tij, pavarësisht kësaj, në Mitrovicë të Veriut ka ende shqiptarë dhe serbë që po punojnë dhe institucionet nuk janë mbyllur.
“Ende ka shqiptarë në Mitrovicën e Veriut, që po vazhdojnë punën e tyre dhe institucionet nuk janë mbyllur dhe besoj që disa shërbime mund t’i marrin edhe në Mitrovicën e Veriut. Ka gjyqtarë serbë që po vazhdojnë punën e tyre pavarësisht se po kërcënohen nga strukturat paralele dhe presioneve të Beogradit”, është shprehur ai.