Arbëri

LVV: Kontrata 267 mijë euroshe iu dha vjehrrit të drejtoreshës në Obiliq

Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq ka adresuar akuza në drejtim të drejtoreshës për Mbrojtje të Mjedisit, Fitore Hashani. Sipas një komunikate për media të kësaj partie, kontrata 267 mijë euro i është dhënë vjehrrit të vetë drejtoreshës Hashani.

“Kontrata kornizë në vlerë 267.000€, me titull ‘Pastrim i mbeturinave ilegale, rrënimi i objekteve, pastrim i shtratit të përrockave-lumenjve e shërbime tjera publike dhe për raste emergjente’, tenderi i të cilës është hapur gjatë mujit tetor rezulton që të ketë fitues vjehrrin (burrin) e Drejtoreshës së Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit”, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zyrtarët e kësaj partie dyshojnë se tenderi është i kurdisur.

“Në procesverbalin e hapjes së këtij tenderi rezultojnë të kenë konkuruar shtatë operatorë ekonomikë, diferenca në ofertë në mes operatorit fitues dhe të tjerëve në garë ishte pakrahasimisht më e ulët, çmimet e cekura në ofertën e opreratorit fitues janë shumë apo jo normalisht të ulëta në raport me çmimet e tregut, gjë që e bënë të ketë dyshime reale për formën se si do bëhen punët në teren dhe se tenderi ka qenë i kurdisur”, thuhet tutje në komunikatë. “Por, nuk mbaron me kaq. Afërsia e operatorit fitues me zyrtarë të komunës së Obiliqit, pasi që në fund do bëjë certifikimin e pagesave vajza e tij, znj. Flaka Hashani. Vlen të theksohet se ky operator përgjatë periudhës 23.02.2021 deri 23.08.2021 dhe jo vetëm ka përfituar kontrata në emër ‘të rrënimit të objekteve dhe pastrimit të mbeturinave ilegale, pastrimit të shtratit të prrockave dhe lumenjëve si dhe shërbime tjera publike’, në vlerë prej 74,515€”.

Nëpërmjet kësaj komunikate, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur shqetësimin e tyre se “paraja publike në Komunën e Obiliqit po keqpërdoret për interesa të ngushta të funksionarëve komunalë”.

KOHA është në përpjekje për të marr një qëndrim nga Fitore Hashani, ose zyrtarët tjerë komunalë rreth këtyre akuzave të VV-së.