Besa Luzha nga Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” është deklaruar rreth rekomandimit që gjashtë muajt e parë të lehonisë të paguhen nga shteti, tre muajt e tjerë nga punëdhënësi dhe tre të tjerë pa pagesë.
E ftuar në emisionin "60 Minuta" të KTV-së, Luzha ka thënë se në bazë të Ligjit të Punës që është miratuar në vitin 2011, përgjegjësia për lejen e lehonisë u është vënë bizneseve, gjë që ajo e ka quajtur të padrejtë. Sipas saj, për këtë arsye edhe vështirë zbatohet ky ligj.
Luzha ka treguar se bazuar në kalkulimet që i kanë bërë bazuar në numrin e lindjeve, shtetit do t’i kushtojë rreth 10 milionë euro në vit kjo kategori.
“Prej kur është miratuar Ligji i Punës në vitin 2011, është ditur që do të jetë vështirë i zbatueshëm. Negociatat në atë kohë për mendimin tonë, kanë bërë gabim që komplet barrën e për lejen e lehonisë iu është vënë pa të drejtë bizneseve. Përgjegjësinë që e ka shteti, shoqëria nuk duhet t’i bie vetëm bizneseve. I kemi bërë disa kalkulime, në bazë të numrit të lindjeve diku kosto është 10 milionë euro në vit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, deri në vendimin për t’i paguar gratë lehona, shteti duhet të krijojë një fond që njerëzit të paguajnë në mënyrë që të ketë para për t’i paguar ato.
Sa i përket respektimit të lejes së lehonisë, Luzha thotë se shumë biznese vendosin të mos punësojnë gra të reja, ndërsa atyre që janë afër periudhës për të krijuar familje, u është ndërprerë kontrata e punës.
Edhe
Kërkohet që shteti ta marrë përsipër pagesën e pushimit të lehonisë
Luzha ka thënë se shteti duhet të ketë politika aktive për të stimuluar punësimin e gruas, sepse tregu ka nevojë që të ketë brenda tij edhe gra.
“Në vend se të ketë politika stimuluese, shteti po i dënon gratë që janë të denja e të zonja për treg të punës dhe i dekurajon nga vendimi për të krijuar familje. Ne kemi propozuar që shteti të konsiderojë interes nacional mirëqenin e familjes në popullatë dhe pjesëmarrjen e gruas në tregun e punës, një qeveri që e ka synim drejtësinë sociale, duhet ta ketë vullnetin politik që ta kthejë përmbys barrën që është dhënë dhe ta marrë vetë këtë barrë duke paguar gjashtë muajt e parë të lejes së lehonisë vetë”, ka shtuar ajo.
Në diskutimin e organizuar të mërkurën nga Forumi Ekonomik i Grave (WEF) në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Iniciativa për Stabilitet, mbi Ligjin e Punës-dispozitat që rregullojnë lejen e lehonisë dhe lejen prindërore për të punësuarit u theksua se gratë janë të diskriminuara në tregun e punës edhe në rastin kur intervistohen.