Dy ligjet më të rëndësishme të shëndetësisë janë shndërruar në çështje gare mes pushtetit e opozitës. Ligji për Shëndetësi, që është ligji bazik për këtë sektor, si dhe ai i rregullimit të çmimit të barnave janë në proces të punimit nga grupi punues i Ministrisë së Shëndetësisë. Por draftet e këtyre të dy ligjeve tashmë i ka të gatshme opozita, dhe të premten ishte vendosur që të shqyrtohen në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi. Një gjë e tillë nuk ndodhi, për shkak që shumica e deputetëve të VV-së nuk morën pjesë dhe në mungesë kuorumi, mbledhja ka dështuar
Pushtet e opozitë janë duke punuar në amendamentimin e Ligjit për Shëndetësi, që është ligji bazik dhe kryesor për këtë sektor.
Përderisa grupi punues i Ministrisë së Shëndetësisë ende nuk e ka përfunduar punën, drafti për të njëjtin ligj i iniciuar nga LDK-ja, tashmë është i gatshëm dhe të premten ishte planifikuar të diskutohet në Komisionin për Shëndetësi.
Megjithatë, shumica e deputetëve të Vetëvendosjes nuk kanë marrë pjesë, duke bërë që mbledhja të dështojë.
Përveç projektligjit, në këtë takim do të diskutohej edhe për draftligjin për rregullimin e çmimit të barnave. Edhe këtë projektligj është duke e hartuar Ministria e Shëndetësisë. E opozita tashmë e ka një draft të gatshëm.
Deputetët e opozitës hodhën kritika se bojkotimi i mbledhjes ishte i qëllimshëm.
“Në muajin mars kemi propozuar nismën për projektligjin për çmimin e produkteve të barnave dhe në vazhdimësi ky projektligj bashkë me atë tjetrin të iniciuar nga opozita në vazhdimësi janë prolonguar e nuk janë trajtuar nga pushteti. Në mbledhjen e fundit jemi dakorduar që t’i trajtojmë këto dy projektligje. Pushteti i VV-së pamundësoi kuorumin, që të pamundësohet votimi i këtyre dy projektligjeve, ai për çmimet medicinale dhe ai për shëndetësi”, u shpreh deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
“E patë sot papërgjegjësinë e mazhorancës është tregues i qartë që po e rëndon edhe sistemin shëndetësorë edhe jetën e pacientit. Ka tre muaj që projektligjet janë në sirtarët e qeverisë me një qëllim të arsyeshëm edhe për avancimin. Besojmë dhe shpresojmë që kjo papërgjegjësi do të përfundojë një ditë. Ditëve të fundit jemi përballur me një kolaps shëndetësor, dhe zëri i arsyes duhet të thirrë të gjithë ata që ia duan të mirën shëndetit publik”, ka thënë Armend Zemaj i LDK-së.
Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha, ka thënë së mungesa e deputetëve të kësaj partie nuk ishte e qëllimshme.
“Nuk ka ndodhur asgjë që nuk ndodh edhe në kuvend edhe në takimet e tjera, kur mund të ketë mungesë kuorumi. Ne kemi shprehur gatishmëri t’i diskutojmë këto ligje, për kundër faktit që opozita që është në dijeni që këto ligje, që është ligji bazik, ligji për shëndetësi është në strategji legjislative dhe pritet të sillet nga Qeveria në Kuvend të Republikës së Kosovës si dhe ky për çmimin e barnave”, ka thënë ajo.
KOHA ka krahasuar dy draftet e ligjit për shëndetësi, atë të opozitës e atë të MSH-së. Dallimi esencial mes tyre është që opozita nuk tenton t’ua kufizojë punën mjekëve në të dy sektorët, e MSH-ja tenton ta bëjë një gjë të tillë.
Ligji për Shëndetësi është nxjerrë rreth një dekadë me herët, kur ministër i Shëndetësisë ishte Ferid Agani.