Ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luehrmann, ka vlerësuar bashkëpunimin midis Kosovës e Gjermanisë në sektorin e energjisë si dhe rëndësinë e projekteve për tranzicionin energjetik të Kosovës.
“Kjo çështje është e rëndësishme edhe referuar negociatave të anëtarësimit në BE në të ardhmen: Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor – edhe në interes të vetin – duhet të përafrohen me tregun e brendshëm energjetik të BE-së”, ka thënë Luehrmann në intervistën për KOHËN.
KOHA: Gjatë qëndrimit tuaj të fundit në Kosovë, keni vizituar vendin ku do të ndërtohet Parku Solar. Cilat janë vlerësimet nga kjo vizitë dhe sa është i mundur bashkëpunimi mes Kosovës dhe Gjermanisë në sektorin e energjisë, por edhe në sektorë të tjerë?
Luehrmann: Korporata Energjetike e Kosovës dhe Banka Gjermane për Zhvillim KfW planifikojnë që në vendin e ish-deponisë së hirit të Termoncetralit “Kosova A”, në bashkëfinancim me BE-në, të ndërtojnë një park solar me një kapacitet të përgjithshëm prej 100 MW, i cili do të prodhojë si ngrohje qendrore, ashtu edhe energji të gjelbër. Aktualisht në mbarë Kosovën janë instaluar kapacitete fotovoltaike prej vetëm 10,1 MW, ashtu që projekti do ta dhjetëfishojë kapacitetin e përgjithshëm prodhues. Kjo e shfaq rëndësinë e projektit për tranzicionin energjetik të Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme dhe të pastër. Me këtë, vendi përveç që do të kontribuojë qenësisht në arritjen e objektivave të klimës nga Marrëveshja e Parisit, do të bëjë edhe një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së sigurisë energjetike dhe çmimeve më të lira të energjisë për një kohë të qëndrueshme.
Kjo çështje është e rëndësishme edhe referuar negociatave të anëtarësimit në BE në të ardhmen: Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor – edhe në interes të vetin – duhet të përafrohen me tregun e brendshëm energjetik të BE-së. Kjo natyrisht që implikon detyrime në fushën e klimës. Ne të gjithë duhet të kundërveprojmë bashkërisht ndaj ndryshimeve klimatike.
KOHA: Qeveria gjermane, krahas parkut solar ka mbështetur edhe një projekt tjetër, siç është ai i Parkut të Erës në Bajgorë. Sa ka interesim nga kompanitë gjermane për të investuar në projekte të tilla në Kosovë?
Luehrmann: Kushtet parimore për investime gjermane në energjinë e ripërtritshme mendohet se janë të volitshme në Kosovë: Së pari çmimet tejet e ngritura të thëngjillit, të naftës dhe të gazit e kanë bërë energjinë e ripërtritshme shumë më konkurruese se sa edhe ashtu ka qenë. Ajo tani në afat të gjatë është forma më e volitshme e energjisë. Së dyti, për shkak të objektivave të klimës, në Gjermani dhe Evropë nevoja për energji të gjelbër do të rritet masivisht në vitet e ardhshme. Energjia ‘më e papastër’, siç është për shembull rryma e prodhuar nga thëngjilli nëpërmjet mekanizmit të përshtatjes së kufirit të karbonit (CBAM), do të ketë një paraqitje më të dobët në tregun e brendshëm të energjisë së BE-së. Së treti, mjedisi ndërkombëtar po bëhet më i vrazhdë. Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës na detyron të diversifikojmë burimet tona të energjisë. Vendi i industrisë, Gjermania për shembull, në vazhdën e tranzicionit të nevojshëm në të ardhmen do të varet nga sasi të mëdha të hidrogjenit të gjelbër, por nuk do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat në vend përmes prodhimit të vet. E gjithë kjo e rrit interesimin e ndërmarrjeve për të investuar në këtë fushë. Për Kosovën këtu shtohen edhe ndërthurjet edhe ashtu të ngushta politike, ekonomike dhe shoqërore në mes të dy vendeve tona. Mirëpo, vizita ime në Prishtinë më ka bërë të kuptoj se këtu ka ende shumë pengesa administrative që duhen tejkaluar. Këtu, nga këndvështrimi im, është me rëndësi që qeveria, nëpërmjet miratimit të shpejtë të një strategjie të re të energjisë të orientuar nga e ardhmja, të krijojë bazën për siguri të planifikimit edhe për ndërmarrje dhe ta bëjë Kosovën një vend atraktiv të investimit në energjitë e ripërtëritshme. Siguria e investimeve është një temë qenësore dhe proceset e planifikimit deri tani janë shumë të gjata.
KOHA: Në vizitë keni përmendur se Gjermania deri në vitin 2035 planifikon që të kalojë në energji të gjelbër. Cili është ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë në këtë proces?
Luehrmann: Lufta e agresionit kundër Ukrainës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare brutalisht po i shfaq pasojat e varësisë së fuqishme të politikave energjetike të shteteve të veçanta. Me anë të planit të BE-së për dhënien fund të kësaj varësie RePowerEU, BE-ja e sheh një tërheqje graduale nga importi i burimeve ruse të energjisë. Gjermania këtë dimër do të largohet plotësisht nga furnizimet e naftës ruse. Kjo na detyron që në afat të shkurtër të diverifikojmë burimet dhe me kohë edhe dimension, duke u kufizuar shumë të shfrytëzojmë kapacitete të tjera joruse nga burimet e energjisë nga lëndët fosile. Mirëpo vendimtare është që njëkohësisht ta shtyjmë përpara më fuqishëm sesa deri tani ristrukturimin e sistemeve tona të energjisë, duke synuar 100 përqindëshin e energjisë ripërtëritëse. Ne edhe më tej synojmë të arrijmë objektivat tona të klimës dhe i kemi ngritur edhe më lart synimet tona për zgjerim të energjisë së ripërtëritshme në mbarë Evropën. Vetë Gjermania në kuadër të së ashtuquajturës Pako Lindore deri në vitin 2030 ka planifikuar të mbulojë 80 për qind të nevojave tona për rrymë nga energjia e ripërtëritshme. Kjo është me rëndësi, sepse kriza klimatike nuk do të zhduket, marrë parasysh luftën e agresionit rus kundër Ukrainës. Ajo është dhe mbetet njëra nga sfidat qendrore gjeopolitike dhe e politikave të sigurisë së këtij shekulli dhe duhet përfundimisht të adresohet në mënyrë konsekuente.
KOHA: Kosova varet nga importi i energjisë gjatë dimrit, për shkak se prodhimi nuk mbulon konsumin. Nga Termocentralet prodhohet rreth 800 megavat për orë, ndërsa në dimër nevoja për konsum është rreth 1.4 gigavat për orë. Cilat janë mundësitë që Gjermania të ndihmojë Kosovën në përballimin e kësaj krize, duke pasur parasysh se edhe vetë ajo përballet më të njëjtin problem?
Luehrmann: Përgjigjja afatmesme deri afatgjate për Kosovën duhet të jetë përshpejtimi maksimal i tranzicionit energjetik. Kjo është zgjidhja më e mirë nga aspekti i politikave financiare, klimatike dhe të sigurisë për të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Parakushtet për energji të ripërtëritshme janë tejet të mira, ekziston interesimi i investitorëve dhe Gjermania me kënaqësi ofron përkrahje në formë të ekspertizës dhe vendosjes së kontakteve me ndërmarrës dhe investitorë. Sa i përket mungesës së energjisë në afat të shkurtër, këtu – siç është rasti tek ne aktualisht referuar gazit – masat e kursimit të energjisë dhe të efiçiencës së energjisë janë veçanërisht të rëndësishme. Paralajmërimi i Komisionit të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor që tani, këtë dimër, me pako masive të ndihmës, përkrahet plotësisht nga Gjermania.
KOHA: Bashkimi Evropian ka njoftuar për pakon e ndihmës në tejkalim të krizës energjetike e në të cilën pritet të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor. Sa janë shanset që edhe Kosova të përfitojë nga kjo pako?
Luehrmann: Gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e konfirmoi fuqishëm që BE-ja qëndron përkrah Ballkanit Perëndimor. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 1 miliard euro për të gjashtë vendet, nga të cilat do të përfitojë natyrisht edhe Kosova. Me këtë BE-ja po i mbështet njerëzit në Ballkanin Perëndimor shpejt dhe konkretisht, në një afat të shkurtër kohor, por edhe me projekte afatgjata për një ristrukturim të qëndrueshëm drejt neutralitetit klimatik.
Me rëndësi, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, përveç kësaj, ishte edhe angazhimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, së cilës i është bashkuar edhe Kosova, vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë pranuar në mënyrë të qartë Agjendën e Gjelbër për të përmbushur synimin e neutralitetit ndaj klimës deri në vitin 2050 dhe për nxitjen e energjive të ripërtëritshme. Pa një vullnet aq të qartë nga rajoni edhe pakoja masive e BE-së nuk do të kishte mundur të jetë e qëndrueshme.
KOHA: Cilat do të duhej të ishin masat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës për tejkalimin e krizës së tashme energjetike dhe çfarë reforma duhet bërë ajo për të ndërtuar sistem të qëndrueshëm energjetik?
Luehrmann: Dimri, në prag të të cilit gjendemi, do të paraqesë një sfidë posaçërisht për Kosovën. Meqë nuk mund të ndërtohen kapacitete shtesë për një kohë kaq të shkurtër, fokusi afatshkurtër do të duhet të vendosej, para së gjithash, te masat e energjisë dhe rritjes së efiçiencës së energjisë. Qeveria e Kosovës tashmë është aktive në këtë pikë me programin aktual të subvencionimit në vlerë prej 6 milionë eurosh. Efektive duket të jenë gjithashtu edhe subvencionet për mbulimin kuantitativ të çmimit të rrymës, që janë prezantuar në Kosovë gjithashtu para pak kohësh dhe këtë rrugë po e ndjekim edhe ne në Gjermani. Mirëpo, në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë ristrukturimi parimor i sistemit të energjisë, duke synuar energjitë e ripërtëritshme nuk duhet të largohet nga vëmendja. Rruga për këtë duhet trasuar tani, sepse vendimet e sotme do të ndikojnë në strukturën e furnizimit me energji në Kosovë edhe në dekadat e ardhshme. Vetëm zgjerimi masiv i energjisë së ripërtëritshme në aspektin afatgjatë do t’i sigurojë vendit çmime të volitshme të energjisë, një furnizim stabil me energji, pavarësi nga importi i shtrenjtë i energjisë dhe aftësi të qëndrueshme konkurruese në tregjet e gjelbra të së ardhmes, edhe në ato të BE-së. Ky edhe është çelësi për t’i dhënë fund ndotjes së ajrit të dëmshëm për shëndetin në vend, e para së gjithash në Prishtinë. Për këtë në Kosovë ka mjaftueshëm erë dhe diell. Veç kësaj ka investitorë të gatshëm. Fusha e energjisë së ripërtëritshme është njëra nga fushat kryesore të rritjes për dekadat e ardhshme. Një zotim i qartë i qeverisë për t’u larguar nga thëngjilli, si dhe angazhimi për një pako gjithëpërfshirëse ligjore për zgjerimin e energjisë së ripërtëritshme, përfshirë vendet e përcaktuara si lokacione, si dhe procedurat e thjeshtëzuara për dhënie të liçencave do të krijonin besimin e nevojshëm për të arritur këtë. Ndërsa një luhatje andej-këndej e tranzicionit energjetik do të ishte kundërproduktive, gjegjësisht nuk e rrit besimin e investitorëve të mundshëm.
KOHA: Çështja e energjisë është vetëm një nga sfidat e shtetit të Kosovës. Zhvillimi i saj mbetet ende peng i proceseve që lidhen me dialogun me Serbinë dhe me integrimet evropiane, përfshirë liberalizimin e vizave. Nëse ka ngecje në këto procese dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk arrijnë t’i eliminojnë mosmarrëveshjet, a vihet në sprovë ekonomia e sidomos siguria rajonale?
Luehrmann: Me çështjen e liberalizimit të munguar të vizave për Kosovën po merremi edhe ne në Gjermani: Ajo çështje është shënuar si qëllim edhe në marrëveshjen tonë të koalicionit. Liberalizimi është vonuar dhe duhet të ndodhë tani. Prandaj ne po angazhohemi për këtë edhe me partnerët tanë në BE. Me homologun tim francez dhe atë polak në shtator jemi deklaruar sërish për arritjen e qëllimit të liberalizimit të vizave brenda konkluzioneve të së ashtuquajturit Trekëndësh i Vajmarit. Ndonëse njëkohësisht urgjent është progresi në dialog me Serbinë. Të dyja palët duhet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë në mënyrë pragmatike dhe konstruktive. Përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, e ka besimin tonë të plotë. Qëllimi i tij është sikurse yni, arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila e hap perspektivën drejt BE-së për të dyja vendet dhe kontribuon në stabilitetin e rajonit. Ajo do të lehtësojë edhe jetën e përditshme të njerëzve në rajon dhe përmes një mjedisi të përmirësuar të investimeve, do të krijojë edhe vende pune dhe perspektiva. Ne duhet të shmangim që me ritmin e rregullt të orës me qyqe të na duhet të shikojmë bashkërisht drejt humnerës së afateve të skaduara. Çështjet, si puna e tabelave të veturave apo energjisë nuk duhet të përshkallëzohen. Unë apeloj shumë qartë tek të dyja palët që përfundimisht të trasojnë rrugën drejt së ardhmes. Kjo thirrje vlen për të dyja palët, Serbinë dhe Kosovën: Jini të gatshëm për kompromis! Qeveria e Kosovës veç kësaj, duhet të marrë përgjegjësi të plotë për serbët e Kosovës, sepse Kosova është një shtet shumetnik. Ka edhe zhvillime pozitive. Kështu, nënshkrimi i tri marrëveshjeve të mobilitetit për udhëtimin pa viza me letërnjoftime, si dhe njohja reciproke e diplomave të caktuara akademike dhe profesionale, të cilin patëm rastin ta përjetojmë në Samitin e Procesit të Berlinit, paraqet një hap tejet të rëndësishëm përpara. Ai tregon që rajoni mund të bashkëpunojë dhe zotohet për arritje të qëllimit të krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal në rrugë drejt integrimit në BE. Ky është një hap qenësor, të cilin e kanë bërë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor bashkërisht për të arritur përmirësime për qytetaret dhe qytetarët e tyre. Unë e përgëzoj Qeverinë e Kosovës shprehimisht për këtë. Tani me rëndësi është që ratifikimi i marrëveshjeve të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.