Arbëri

Lladrovci del kundër PDK-së, shpall kandidaturën për kryetar të Drenasit

Ramiz Lladrovci ka vendosur të nxjerrë emrin e tij si kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit. Nuk ka treguar nëse do të jetë i pavarur apo do të garojë nën logon e PDK-së, por ka treguar se nuk i ka marrëdhëniet e mira me udhëheqësinë në qendër që prej largimit të Kadri Veselit.

Ai thotë se këtë veprim e ka marrë, duke parë që këtë nuk po e bën kryesia e partisë së tij, PDK dhe duke e parë që emri i tij “po mohohet” nga dega e PDK-së në Drenas.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në vjeshtën e këtij viti dhe Lladrovci është kryetar aktual i Drenasit.

“Për mungesë të konfirmimit të kandidaturës time për kreun e komunës së Drenasit, nga ana e Kryesisë dhe u.d. të kryetarit të PDK-së, shpall kandidaturën time si kandidat për kreun e komunës së Drenasit, edhe për një mandat”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Ai tha se çështjen e mandatit të dytë, e ka diskutuar në takim ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, që tashmë ndodhet në Hagë, si i akuzuar nga Specilaja.

“Kam pasur zotime për sigurinë e kandidaturës time për mandatin e dytë në Degën e Drenasit dhe në Kryesi të PDK-së. Ky zotim pritej të formalizohej gjatë nëntorit të kaluar nga kryetari Veseli. Për fat të keq, ndodhi goditja e rëndë për të gjithë neve, Haga. Pas nëntorit, Dega e PDK-së në Drenas me disa keqbërës jo vetëm nga dega në Drenas por edhe më gjerë, filluan të mohojnë emrin tim si kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit”, ka shkruar tutje Lladrovci.

Ai ka folur edhe për punën, sipas tij të suksesshme, të bërë në këtë komunë.

“Për tri vjet, puna ime ka rezultuar me aderimin e 9 asambleistëve të partive tjera në grupin e asamblistëve të PDK-së. Por kjo, disa keqbërësve nuk ju pëlqeu. Prandaj, nuk marr përgjegjësi për gjendjen e krijuar. Me mish e me shpirt jam munduar dhe kam punuar, duke qenë Drenasi e vetmja komunë e PDK-së, e fituar pa balotazh. Dega e PDK-së në Drenas dhe shumica në kryesi të PDK-së e dinë se unë nuk i nënshtrohem as shantazhit e as kërcënimit”, ka thënë ai.

Lladrovci nuk ka treguar nëse kandidatura e tij është e pavarur apo do të jetë në logon e PDK-së.

“Pra, jam kandidat për kryetar të Drenasit, edhe për mandatin e dytë.

Vendimin për mandatin e dytë ia lë sërish në duar qytetarëve të komunës së Drenasit. Pres që ata të vendosin, duan apo nuk duan, të më shohin në krye të komunës edhe katër vjet”, ka shkruar Lladrovci.