Me Ramush Haradinajn në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, partia Lista Serbe e fillon videon e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.
Nëpërmes kësaj videoje, theksohet se vetëm Lista Serbe mund të parandalojë transformimin e FSK-së në ushtri, raporton KTV.
“Zgjedhjet që po vijnë janë vendimtare për popullin tonë. Secila votë ka rëndësi që të parandalojmë formimin e të ashtuquajturës Ushtri të Kosovës në shtëpinë tonë, të mbrojmë institucionet e Republikës së Serbisë nga shuarja, të mbrojmë serbët e mbetur e të rrezikuar në Kosovë,” thuhet në video.
Duke e quajtur Kosovën shtëpia jonë, në video thuhet se vetëm Lista Serbe e ka përkrahjen e Beogradit.
Lista Serbe e ka filluar fushatën zgjedhore të mërkurën në Leposaviq, ku të pranishmëve u ishte drejtuar edhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.