Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lista Serbe kërkon nga Lajçaku formimin e Asociacionit

Lista Serbe ka përsëritur kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në një takim që krerë të kësaj partie kanë pasur të premten me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një njoftim për media të Listës Serbe, bëhet e ditur se në këtë takim “krerët e Listës Serbe kanë nënvizuar domosdoshmërinë për formimin e Asociacionit të komunave serbe në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe asaj të 2015-s, që është garanci e implementimit nga BE-ja”.

“Ata kanë marrë siguri se të gjitha marrëveshjet e arritura më herët duhet të respektohen dhe se BE-ja është e përkushtuar për këtë çështje, e se të gjitha interpretimet tjera që kanë qarkulluar në publik, janë të pabaza”, ka thënë Lista Serbe.

Po ashtu, Lista Serbe ka thënë se ia ka shprehur “Lajçakut shqetësimin se serbët po arrestohen e persekutohen, pa dëshmi e gjykim”.

Në dy ditët e fundit, Lajçaku është takuar me krerët e institucioneve të Kosovës dhe liderë opozitarë. Ai ka thënë se ka ardhur në Kosovë për të marrë pikëpamjen e Kosovës se si e sheh implementimin e propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit dy shtetet u pajtuan më 27 shkurt.

Ai synon të sigurojë përafrimin e qëndrimit të palëve mbi udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian për dialogun, e për të cilin synohet të arrihet marrëveshja mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në një takim që është planifikuar të realizohet më 18 mars në Ohër.

Artikuj të ngjashëm