Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lista Serbe e konsideron provokim vizitën e ministrave në Jarinjë e Bërnjak

Një vizitë të dy ministrave të Qeverisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, partia Lista Serbe po i konsideron provokim për serbët e veriut të Kosovës.

Të shtunën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë vizituar dy pikat kufitare në veri. Ata kanë lavdëruar Policinë për punën.

“Angazhimi i shtuar dhe i pandalshëm i Njësiteve të Policisë së Kosovës, luftimi i kontrabandës dhe kontrolli efikas kufitar po prodhojnë rezultate të dukshme. Vizitova dy pikat kufitare në të cilat po vijon po ashtu zbatimi i marrëveshjeve. Mbesim të përkushtuar për ngritje dhe forcim të kapaciteteve tona drejt qëllimit tonë për sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Në pikat kuftare në Jarinje e Bërnjak, po vazhdon me sukses kontrolli strikt, i cili mundëson luftimin me efikasitet të kontrabandës. Për të parë nga afër punën që po bëjnë Njësitet tona të Policisë, së bashku me Ministrin Xhelal Sveçla, ishim në vizitë në këto dy pika. Policia jonë po bën punë të shkëlqyer, me nder e dinjitet. Zbatimi i ligjit është dhe do të mbetet detyra e përkushtimi ynë kryesor. Përgëzoj Policinë e Republikës së Kosovës, për profesionalizmin në punën e tyre, gjithnjë në shërbim të vendit”, ka shtuar Mehaj.

Vizitën e tyre në veri, Lista Serbe po e cilëson provokim “në ambientet serbe”. Ka kërkuar sqarime se “nga kush është marrë pëlqimi për këtë vizitë”.

Edhe Sveçla viziton policinë në veri: Përkundër sfidave, pashë vendosmëri dhe entuziazëm për punë Arbëri Sveçla viziton policinë në veri: Përkundër sfidave, pashë vendosmëri dhe entuziazëm për punë

“Lista Serbe dënon ashpër provokimet e sotme të organizuara nga Prishtina, kur në veri të ‘Kosovës e Metohisë’, ministrat e Policisë, Xhelal Sveçla, dhe i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nga Prishtina po qëndronin në ambiente serbe. Në këtë moment qytetarët janë të shqetësuar dhe po pyesin se për çfarë arsye ministri i Mbrojtjes, Mehaj, ishte në ambientet serbe, me çfarë qëllimi, kush e ftoi, a ishin të shoqëruar nga pjesëtarë të FSK-së dhe nga kush morën pëlqim për të hyrë në veri të ‘Kosovës e Metohisë’. Theksojmë se kjo s’ka qenë vizitë e zakonshme, por provokim i pastër që i ka shqetësuar qytetarët tanë që me të drejtë kërkojnë të ndalen provokimet që minojnë paqen në këtë rajon”, thuhet në reagimin e Listës Serbe në Facebook.

Këto dy pika në fund të shtatorit të vitit të shkuar u kthyen në hapësira tensioni për shkak të protestave të serbëve nëpër rrugë kundër vendosjes së reciprocitetit për targat e veturave. Zgjidhja qe bërë me një marrëveshje të përkohshme, që së fundmi u zgjat për shkak të mosarritjes së gjuhës së përbashkët për një zgjidhje të përhershme. Simbolet shtetërore në targa mbulohen me stikerë.