Pas rastit të konfirmuar se në Janjevë të Lipjanit është prekur një 46 vjeçar i ardhur nga Gjermania me virusin COVID-19, komuna ka njoftuar se do të vazhdojnë të mobilizohen edhe më shumë për ta parandaluar përhapjen e tij.
Mirëpo në anën tjetër menjëherë ka reaguar organizata “YAHR” me arsyetim se me kohë kanë kërkuar të krijohet një databazë për secilin fshat me qëllim të identifikimit të personave të ardhur nga shtetet tjera.
Zëdhënësi i komunës Diamant Bytyqi, ka thënë për Kohën se janë marrë të gjitha masat e kërkuara nga plani i ministrisë së shëndetësisë.
“Me kohë është bërë dezinfektimi i institucioneve publike, QKMF, AMF, institucioneve parashkollore dhe shkollore, autobusët, bibliotekat dhe hapësirat tjera publike. Jemi duke bërë përpjekje për t’i marrë edhe masat tjera të nevojshme për rastet e dyshuara dhe të prekura. Mirëpo në rrethana të tilla po e presim edhe ndihmën e ministrisë dhe institutit për menaxhimin e situatës”, ka thënë Bytyqi.
Ai i ka dëshiruar shërim të shpejtë 46 vjeçarit nga Janjeva dhe uron që mos të përsëriten rastet të tilla.
Ky rast ka çuar në 21 numrin e të prekurve me koronavirus në tërë Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, në komunikatën e “YAHR”-s midis të tjerash thuhet se me datën 15 mars 2020 me një publikim në rrjetin social kanë kërkuar nga Komuna e Lipjanit, kryetarët e Këshillave të Fshatrave dhe nga Komision AD-HOC për problemin me COVID -19, që të fillojë me krijimin e një data baze me të dhëna për secilin fshatë, ku të bëhet evidentimin i të gjithë qytetarëve të ardhur nga vendet e rrezikuar evropiane nga COVID-19 duke filluar nga data 1 mars 2020.
“YAHR nëpër mes kësaj komunikatë kërkon: urgjentisht që të thirret mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, - Po ashtu kërkon urgjentisht takim pune të Komisionit AD-HOC për problemin me COVID -19, - Kërkon nga Komuna e Lipjanit që në bashkëpunim me kryetarit e fshatrave të bëjnë identifikimin e të ardhurve nga shtetet e jashtëm të personave që nga data 1 mars 2020 dhe të bëhet një data bazë me të dhëna për secilin fshatë. - Kërkon që nga qytetarët dhe institucionet lokale që rreptësishtë të respektohen të gjitha rregullat e përcaktuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, thuhet në komunikatë.