Ka shkuar mbi 300 numri i rasteve aktive me koronavirus në komunën e Lipjanit. Në mesin e tyre së fundi janë prekur me virusin korona edhe 24 punonjës shëndetësorë, gjë që ka vështirësuar funksionimin e sistemit shëndetësor në këtë komunë.
Shtabi Emergjent në bashkëpunim me drejtorinë komunale të Shëndetësisë, thonë se janë mobilizuar për ta plotësuar dhe riorganizuar numrin e punonjësve duke i mbyllur disa punkte shëndetësore nëpër fshatra që kanë më pak frekuentim të pacientëve, raporton KOHA.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMerita Bytyqi, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Lipjanit ka thënë se prej javës së kaluar është përkeqësuar gjendja, duke pasur raste pozitive me numër dyshifror e që IKSHPK-ja e ka futur në zonë të kuqe.
“Aktualisht janë katër mjekë të prekur nga Covid-19, pjesa dërmuese është e stafit të mesëm, infermierë, mami dhe teknikë laboratori, por edhe dy nga stafi mbështetës, njëri është punëtor administrate dhe tjetri staf teknik”, ka thënë Bytyqi.
Sipas drejtoreshës Bytyqi, shkaku i mungesës së stafit në QKMF, komuna ka bërë një riorganizim duke e mbyllur punktin në Smallushë, Rubofc dhe duke zvogëluar orarin e punës në Janjevë.
Ndërkaq, Fitim Mëziu, specialist i mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ka thënë se që nga fundi i javës së kaluar është përballur me simptoma të virusit, ndërkohë gjendja shëndetësore e tij dhe familjes ende nuk është përmirësuar.
“Kemi të bëjmë me këtë virus i cili nuk po kursen askënd, sidomos duke e marrë parasysh që ne në kujdesin primar shëndetësor jemi hallka e parë e kontaktit me pacientë. Është e natyrshme që mundësia e infeksionit është mjaft e madhe”, ka deklaruar Mëziu.
Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë në Komunën e Lipjanit janë regjistruar rreth 850 raste me koronavirus, prej tyre rreth 480 janë shëruar dhe ndërkohë janë regjistruar 22 vdekje.