Arbëri

Limaj: Nuk do të ishte hera e parë po që se Kuvendi e Qeveria votohen për një ditë

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili u regjistrua sot si deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se vendi ka nevojë që sa më shpejtë të formohen institucionet.

Ndërsa çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, sipas tij, e cakton ligji, e që i takon partisë së parë fituese.

“Qeveri patjetër që do të ketë. Zgjedhjet janë mbajtur për këtë qëllim dhe siç e dini vullneti i qytetarëve të Kosovës është shprehur tashmë. Ky është hapi i parë për mendimin tim, drejtë hapjes së rrugës së konstituimit të institucioneve qendrore të Kosovës. Vendi ka nevojë sa më shpejtë për ndërtimin e këtyre institucioneve, me qëllim të fillojmë dhe të marrim përgjegjësi për kryerjen e shumë obligimeve dhe detyrave që i kemi para vendit tonë, para qytetarëve”, ka thënë Limaj

“Çështja e krijimit të Kuvendit, është çështje formale. E përcakton ligji, bile bile kemi dhe mendim të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo nuk lë shumë hapësirë të krijimit të vullneteve politike. Është e qartë se koalicioni apo partia që del e para, e ka të drejtën e nominimit dhe jo vetëm nominimit por dhe zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit të Kosovës, si hap i parë që hap rrugë pastaj për konstituimin e Qeverisë. Nuk shoh këto asnjë problem, nuk do të ishte asnjë problem sikurse nuk ka pasur as në të kaluarën. Ju e dini që gjithmonë kryetari i Kuvendit dhe trupat udhëheqëse të Kuvendit janë zgjedhur ashtu siç e ka paraparë rregullorja dhe Kushtetuta e vendit”, tha ai.

Ndërsa i pyetur sa a ka gjasa që edhe Qeveria të zgjidhet po në të njëjtën ditë me Kuvendin e Kosovës, Limaj tha ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë, pasi që ka ndodhur dhe në të kaluarën, ku Qeveria është zgjedhur të njëjtën ditë me Kuvendin.

“Ka gjasa, ta shohim. Ne jemi duke punuar, kjo është çështje pak dhe e skenarit, është pak çështje dhe e agjendës së koalicionit, do të shohim sipas zhvillimeve. Besoj me kohë do të njoftoheni se a do të ketë atë ditë apo një ditë tjetër, por mundësitë ose opsionet janë të hapura sepse në Kosovë kanë ndodhur siç e dini, nuk është hera e parë edhe nëse ndodh. Unë jam dëshmitar i dy apo tri rasteve kur Qeverinë e kemi krijuar ose e kemi votuar në ditën e konstituimit të Parlamentit të Kosovës. Nuk do të ishte diçka e panjohur për realitetin politik në Kosovë, ndërtimi i institucioneve në ditën e njëjtë, por kjo mbetet, është pjesë e një agjende ose një programi të koalicionit qeverisës”, tha ai.

Përndryshe regjistrimi i deputetëve vazhdon edhe nesër, derisa Kuvendi ka sqaruar se edhe nëse deputetët nuk janë regjistruar, nuk i pengon që të marrin pjesë në seancën e 3 gushtit.