Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Limaj nga Ferizaj thotë se Kosova nuk do të ndahet

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur një tubim me strukturat e kësaj partie të regjionit të Ferizajt, në të cilin ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh kryetar i NISMA-s.

Limaj tha se përmes kësaj partie synojnë t’i promovojnë intelektualët për t'i shërbyer Kosovës dhe shtoi se objektivi i Nismës është aktivizimi i qytetarëve në pjesëmarrjen publike.

Po ashtu, Limaj tha se Nisma do të vazhdojë të jetë kundër ideve që përçajnë qytetarët e Kosovës. Me këtë rast, Limaj vlerësoi se objektivi i tyre është që t'i shtojnë qeverisë katër deputetë nga Komuna e Ferizajt.

Limaj po ashtu njoftoi se kjo parti tashmë e ka përfunduar një draft rezolutë rreth dialogut me Serbinë, të cilën do t'ia dërgojë Qeverisë. Ai tha se sipas kësaj rezolute, nuk ka ndarje të Kosovës e as shkëmbim territoresh dhe shtoi se Serbia i ka borxh Kosovës miliarda euro.

“Kosova ka çka të bisedojë me Serbinë. Ende nuk janë paguar dëmet e luftës, janë mijëra njerëz të pagjetur, kemi probleme ekonomike, të ndarjes së pasurisë së ish-Jugosllavisë, kemi probleme energjetike, këto janë çështje qe neve na interesojnë, dhe njohjen e Republikës së Kosovës, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe mekanizmat tjera. Këto janë qëndrimet tona. Çka ka Serbia, ne bash nuk lodhemi hiç për atë punë, le të nxjerrë çka të dojë. Ne duhet të tregojmë seriozitet tonin si shtet dhe s'kemi çka e ulim kokën para askujt dhe s'kemi pse të frikohemi. Me qëndrimet që i kemi edhe rezoluta sot, që është një projekt rezolutë që e kemi hartuar, i përmban të gjitha këto që po flasim. Nuk ka ndarje të Kosovës”, ka thënë Limaj, raporton Ksp.

Edhe Limaj thotë se nuk pranon ndarje dhe copëtim të Kosovës Arbëri Limaj thotë se nuk pranon ndarje dhe copëtim të Kosovës

I pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Bilall Sherifi, i cili tha se ky takim i përbashkët i gjashtë strukturave ka për qëllim që të bëjë një bilanc një vjeçar të qeverisjes qendrore dhe lokale. Ai po ashtu tha se Nisma do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, pa dallim partie.

Kurse, kryetari i degës së Nismës në Shtërpcë, Xhemajl Hazizi, kërkoi nga kryetari i Nismës dhe strukturat e tjera që ta vizitojnë Shtërpcën dhe të investojnë në të. Ai tha se buxheti i Shtërpcës nuk po i mbulon nevojat e shqiptarëve të kësaj komune dhe si të tillë, tha se nuk e kanë votuar.