Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Limaj në Berlin: Gjermania e përkushtuar të ndihmojë Kosovën rreth vizave dhe dialogut

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj pas takimeve në Berlin, ka thënë se shpreson që edhe shteti gjerman do të ndikojë në politikën e Beogradit që të heqë dorë nga gjuha luftë-nxitëse, të pranojë dhe të distancohet nga krimet që ka bërë regjimi i Millosheviqit dhe të krijohet klima për të filluar një dialog të mirëfilltë Kosovë-Serbi.

Limaj ka thënë për KosovaPress, se gjatë takimeve në institucionet shtetërore gjermane, kanë diskutuar për takimin e Parisit, liberalizimin e vizave, mohimin e krimeve që bëhet nga kreu i shtetit serb, dhe bashkëpunimi në mes Gjermanisë dhe Kosovës.

Ai shtoi se Kosova është me fat që ka një mik siç është Gjermania në këto proces, pasi angazhimi i këtij shteti në dialog dhe për liberalizimin e vizave është jetik për Kosovën.

“Gjermania është shumë e angazhuar dhe e përkushtuar që të avancohet me dialogun, të ndihmojë sa më shpejt në liberalizimin e vizave dhe për të vazhduar ndihmën dhe bashkëpunimin që ka bërë qeveria e gjermane në drejtim të Kosovës. Ajo që mund të them nga temat që kemi pas në tri institucionet, në parlamentin gjerman, kancelarinë gjermane dhe në ministrinë e Jashtme, shkëmbimi i mendimeve dhe qëndrimeve na ka qartësuar dhe ndihmuar shumë për proceset që do të vinë. Ne presim vizitat e delegacionit gjerman dhe francez në Kosovë, parapërgatitje për samitin e Parisit, sido që të jetë kthehemi në Kosovë me shumë optimizëm, me një qartësi të madhe dhe me mbështetjen e fuqishme që kam parë në këto institucione për Republikën e Kosovës”, ka thënë Limaj.

Ai shtoi se Serbia duhet të distancohet nga krimet e regjimit të Millosheviqit, të heqë dorë nga gjuha luftë nxitëse dhe dalëngadalë të krijohet klima për të filluar një dialog të mirëfilltë.

Edhe Limaj shpreson që në Samitin në Berlin, Serbia të detyrohet t’i kthehet bisedimeve me Kosovën Arbëri Limaj shpreson që në Samitin në Berlin, Serbia të detyrohet t’i kthehet bisedimeve me Kosovën

“Unë i njoftova për vështirësitë që ka Kosova, sidomos nga veprimet e Serbisë, thash se mohimi i krimeve ka vështirësuar situatën, pastaj paradat ushtarake në Nish e të gjitha këto mesazhe që na vinë nga Serbia, që veç sa e tensionojmë dhe vështirësojnë komunikimin në mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj që edhe shteti gjerman do të ndikojë në politikën e Beogradit që t’i rikthehet dialogut, të heqë dorë nga gjuha luftënxitëse dhe të pranojë dhe të distancohet nga krimet që ka bërë regjimi i Millosheviqit dhe dalëngadalë të krijohet klima për të filluar një dialog të mirëfilltë dhe sa më shpejt të përmbyllën çështjet e hapura Kosovë-Serbi”, tha ai.

Limaj po ashtu tha se shteti gjerman është i interesuar që të dy palët të gjejnë rrugë për t’i tejkaluar pengesat dhe lëvizjen e dy anshme për të lëvizur procesi në përgjithësi.