Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova nuk duhet t’i hyjë në hak Bashkimit Evropian sa i përket vizave.
Kjo sepse, sipas tij, Kosova e ka propozuar vetë si kusht demarkacionin.
“Në fillim Kosova me vetëdëshirë ka propozuar që të jetë kusht demarkacioni për vizat. Mos t’i hyjmë në hak BE-së, pasi Kosova vet e ka propozuar si kusht dhe ja ku jemi sot. Qëndrimet tona dihen. Ka më shumë se një muaj e gjysmë që kam marrë angazhim për të zgjidhë këtë çështje”, ka thënë ai në mbledhjen e Këshillit të Nismës.
Ai ka kërkuar nga qeveria, pjesë e së cilës është edhe partia e tij, të mos ndalet vetëm me dërgimin e çështjes së demarkacionit në Kuvend.
“Qeveria nuk mjafton me thanë që e kemi dërguar në Kuvend. Qeveria ka mundësi të punojë ende që së bashku me Malin e Zi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Unë kam analizuar marrëveshjen. Ka hapësirë që dy qeveritë tona të marrin përgjegjësi për të parë për lëshimet e marrëveshjes. Le të jetë zotim i përbashkët i yni. Dhe ta heqim nga rendi i ditës këtë temë. Duhet zgjidhje. Më së lehti është me thanë ne jemi për ata kundër. Por unë jam i bindur se ka mundësi dhe vullnet për ta përmbyllë këtë temë. Duhet të dihen ata që kanë bë gabime, por nuk mjafton kjo. Duhet zgjidhje. Për vite na ka prit Mali i Zi, por ne s’kemi shkuar me fol me ta. Duhet zgjidhje kreative”, ka shtuar më tej ai.