Instituti i Avokatit të Popullit ka njoftuar se të martën e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Dispozita e kontestuar është neni 28 i Ligjit që ka përcaktuar se “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.
Avokati ka kërkuar që Kushtetuesja të vlerësojë nëse kjo dispozitë është në përputhje me Kushtetutën, nenin për Barazi para Ligjit dhe nenin për Të drejtat zgjedhore.
Avokati i Popullit ka thënë se ky rregullim ligjor që të përcaktohet kuota për gjinitë e përligj trajtimin e pabarabartë të grave. Sipas reagimit, çdo kuotë minimale nën 50 për qind nuk është në përputhje me ligjin.
“Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për gratë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit. “Avokati i Popullit vlerëson se vendosja me ligj e kuotës ‘së paku 30%’ për secilën gjini paraqet një lloj paragjykimi të pajustifikuar, duke marrë parasysh se përqindja gjinore në mes të gjinive është pothuajse 50% me 50%, me dallime të vogla dhe çdo kuotë minimale e përfaqësimit nën 50% nuk është në përputhje me qëllimin legjitim që ka ndjek ligji”.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka thënë se nuk do të kërkojë masë të përkohshme, pasi i njëjti përcaktim është edhe në ligjin e shfuqizuar e që në praktikë s’do të përbënte ndryshim substancial.
Edhe
Kushtetuesja: Kuota prej 30%, në përputhje me parimet e barazisë gjinore
Ligji për Zgjedhjet është miratuar në Kuvend, në qershor të vitit të kaluar, në procedurë të përshpejtuar, ndërkaq ka hyrë në fuqi një muaj më vonë.