Arbëri

Ligji për Prishtinën i pazbatueshëm, kryeqyteti mbetet pa polici komunale

Vetura të parkuara në vende joadekuate hasen gjithandej Prishtinës. Për pasojë bllokohet trafiku, pasi rrugët janë të ngushta.

Probleme më të mëdha kanë shërbimet emergjente, të cilat pengohen gjatë punës pikërisht për shkak të ndalesave vend e pavend të veturave.

Me raste të tilla dhe parregullsi të shumta do të merrej pikërisht policia e kryeqytetit, e cila ende nuk është formuar.

3 vjet pas miratimit të Ligjit për Kryeqytetin, Prishtina ende nuk ka polici të veten, e cila është e rregulluar me nenin 7 të Ligjit nr. 06/L-012.

Ajo ka mbetur peng i një udhëzimi administrativ për të cilin Komuna ka kërkuar që të bëhet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas raportit të organizatës DEMOS, të publikuar në nëntor të vitit 2021, moszbatimi i këtij neni dhe shumë neneve të tjera të Ligjit për Kryeqytetin është si pasojë e moskoordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë një tryeze të organizuar nga kjo organizatë, Bekim Salihu nga instituti GAP ka thënë se shumë nene të këtij ligji ose janë zbatuar pjesërisht, ose nuk janë zbatuar fare.

Sipas tij, nga MPB është sqaruar se është e pamundur krijimi i një udhëzimi administrativ për këtë polici.

“Gjatë hulumtimit dhe analizës, MPB ka thënë se një gjë e tillë është e paqartë dhe e pamundur se Ligji për Kryeqytetin ia adreson çështjet e sigurisë Komunës së Prishtinës dhe për çështjet e sigurisë nuk mund të jetë përgjegjëse niveli i pushtetit lokal. Po ashtu, sipas tij, çështja e automjeteve zyrtare dhe çështja e uniformës dhe çështja e komandës kanë dalë të jenë aspekte teknike dhe operative, të cilat e kanë pamundësuar ose vështirësuar zbatimin e këtij obligimi ligjor”, tha Salihu.

Përveçqë nuk ka zbatim, sipas Salihut, në disa pika të këtij ligji ka edhe dykuptimësi.

“Në një rast thotë se Komuna e Prishtinës, kryeqyteti i Kosovës. Pra, nuk dihet. Komuna e Prishtinës i ka decentralizuar shërbimet në 16 bashkësi lokale në vitin 2015, 3 vjet para miratimit të këtij ligji. Nuk ka qenë fare e nevojshme nxjerrja e një ligji të tillë. Vendosja edhe e një nënkryetari shtesë, e drejta e kryetarit të ketë deri në 5 këshilltarë, jo domosdo. Është marrë në pronësi shtëpia e ndërmarrjes “Gërmia” dhe “Tjegullorja”. Prishtina ka fituar 35 mijë milionë për 3 vjet, për 6 për qind të grandit shtesë që është paraparë përmes këtij ligji. Nga koha e miratimit të këtij ligji Komuna e Prishtinës në asnjë rast nuk i ka dalluar të hyrat nga Ligji i Prishtinës nga të hyrat e grandëve të tjera, gjë që flet se Komuna e Prishtinës duhet t’i dallojë dhe të tregojë se cilat kanë qenë dobitë që ka pasur nga këto të hyra”, tha Salihu.

Në këtë tryezë ishin të ftuar edhe Komuna e Prishtinës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, megjithëse nga kjo e fundit askush nuk ishte i pranishëm.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh i hapur për bashkëpunim deri në zbatim të plotë të këtij ligji.

“Ne jemi të hapur, kemi shikuar edhe alternativën, derisa jemi në pajtueshmëri të plotë për zbatimin e këtij ligji. Ne po mendojmë të krijojmë inspektoratin e kryeqytetit me Drejtorinë e Inspektoratit, që de fakto mund të kryente shërbime, që kemi menduar se drejtoria e policisë t’i kryejë ato”, tha Rama.

Por, në anën tjetër, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, këshillon Ramën që ta zbatojë ligjin aty ku nuk ka asnjë pengesë dhe të mos lejojë që buxheti të teprojë.

“Ka mjaftueshëm hapësirë me rritë nivelin e implementimit në aspektin ku nuk ka asnjë pengesë. Fokusimi në shfrytëzimin e buxhetit që ka kryeqyteti është puna më e mirë që mund të bëni dhe të mos ketë buxhet që tepron. Ne kemi një ligj, ka hapësira ku mund të implementohet”, tha Krasniqi.

Të njëjtën e ka kërkuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, i cili vjen nga partia e Ramush Haradinajt, i cili miratoi Ligjin për Kryeqytetin gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Ky ligj nuk është ideal, nuk është më i miri, por e ka veçuar Prishtinën më lart në përgjegjësi. Përdore më shumë kuvendin për projektet e caktuara, vendose një buxhet. Sali Gashi ka mbetur në histori si një njeri i ndershëm, Ismet Beqri na e ka lënë sheshin, ndërsa Isa Mustafa na i ka dhënë projektet e mëdha, e ke sheshin, ujësjellësin, ka bërë projekte të mëdha. Prej teje presim me na lënë diçka të mbarë jo për policinë. Mos u merr as me polici, forcoj këto elemente. Keq që ke fituar se dihet qysh ke fituar, mos me qenë LDK-ja nuk do të kishe fituar, po as LDK-ja nuk do të kishte fituar mos me qenë ti”, tha Tahiri.

Nga Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Çështje Ligjore, në Policinë e Kosovës, Riza Shillova ka thënë se ka shumë disharmoni në mes të Ligjit për kryeqytetin dhe Ligjit të policisë.

“Në kuadër të një drejtori themelohen disa stacione policore. Nëse themelohet si drejtori e kryeqytetit si mundet me u inkuadrua. Është i paqartë sistemi komandues. Kemi drejtori rajonale në Prishtinë e që në kuadër të drejtorisë kemi 3 nënstacione në Prishtinë. Nëse themelohet një drejtori e kryeqytetit, cili do të jetë juridiksioni i tij?” – Shillova.

KOHA ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, mirëpo ata nuk janë prononcuar për këtë çështje.

Me këtë ligj Prishtina duhet të ketë edhe shërbimin dytësor shëndetësor. Për këtë çështje Komuna e Prishtinës ende e ka të paqartë vendin ku do të vendosë spitalin e kryeqytetit.

Sipas raportit me gjithë faktin se Ligji për kryeqytetin e Republikës së Kosovës përcakton se kryeqyteti duhet t’i ketë stemën, vulën, emblemën dhe flamurin e vet, ende nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë për harmonizimin e këtyre simboleve.