Projektligji për Byronë, Bugaqku: Ka ende fjali problematike që mund të nxisë kontestim
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ende dilemë mbetet periudha retroaktive e zbatimit të tij.
Sipas tij, në të ka ende material që mund të nxisë kontestim në Gjykatën Kushtetuese.
“Në draftet e para janë dhënë disa dispozita ligjore që autoritetin e Byrosë e ka mbivendosë ndaj subjektit që iu ka nënshtruar veriifkimit të pasurisë. Pra autoriteti ka pasur fuqi shumë më të madhe të pasurisë së pajustifikueshme sesa pala që dyshohej që e ka pasurinë dhe barra e provës i ka takuar vetë palës, jo atij që e ka nisur procedurën. Mendojmë se këtu, ligji te neni 2 e ka ende një fjali shumë problematike që mund të nxisë sërish kontestim në Kushtetuese, fakti që e kanë lënë mundësinë që dispozitat e këtij ligji, pra që procedura e verifikimit dhe hetimit të pasurisë së pajustifikueshme të mund të zhvillohet kurdo nga 17 shkurti 2008 e tutje”, ka thënë ai në “Konfront”.
Bugaqku ka shtuar se në masë të madhe janë adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe opinioni i Komisionit të Venecias, por sipas tij ka ende dilema në projektligj.
“Ka një kundërthënie mes nenit 2 që flet për fushëveprimit e ligjit dhe periudhat kohore, mes dispozitave të këtij ligji që flaisn për mandatin dhe inicimin e procedurës. E kemi një afat që thotë kurdo nga viti 2008 dhe një kapitull tjetër që thotë se verifikimi i pasurisë nuk mund të shkojë më gjatë se 10 vjet nga momenti që zyrtarit i ka pushuar funksioni”, theksoi ai.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme më 5 tetor 2026. Projektligji mori 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Salihi: Projektligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë ka të njëjtat problematika me atë që u rrëzua
Projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë vazhdon të ketë të njëjtat problematika si projektligji i rrëzuar në vitin 2023, ka vlerësuar Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Salihi ka thënë se, pavarësisht se nisma për këtë ligj daton nga viti 2021 dhe projektligji aktual ka kaluar leximin e parë, mbeten çështje që duhet të adresohen para se ai të kalojë në leximin e dytë.
Sipas tij, GLPS-ja ka identifikuar tri dilema kryesore që kërkojnë zgjidhje: zbatimin retroaktiv të ligjit dhe përcaktimin se nga kur do të zbatohet e për cilët zyrtarë; mënyrën e zgjedhjes së drejtorit dhe anëtarëve të komisionit mbikëqyrës; si dhe sigurinë juridike të qytetarëve që mund të jenë subjekt i hetimit apo konfiskimit civil.
“Për të njëjtat arsye për të cilat është rrëzuar projektligji i vitit 2023, janë të njëjtat dispozita që e bëjnë të kontestueshëm sërish këtë projektligj, nëse kalon si i tillë. Janë të njëjtat dilema, të njëjtat problematika me projektligjin që është rrëzuar”, ka thënë Salihi në "Konfront" të KTV-së.
Ai ka bërë të ditur se GLPS-ja i ka kërkuar Qeverisë që t’i marrë parasysh këto problematika dhe t’i adresojë ato gjatë procesit të mëtejmë të shqyrtimit të projektligjit.