Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lëvizja Fol: Publikohen vetëm 36 për qind e vendimeve të gjykatave

Lëvizja Fol ka publikuar raportin e monitorimit të publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022.

Sipas këtij raporti nga mbi 97 mijë lëndë të zgjidhura, vetëm vendimet e mbi 34 mijë lëndëve ose rreth 36 për qind, janë publikuar.

Sipas gjetjeve që janë publikuar të premten, numri i publikimeve të vendimeve të lëndëve të zgjidhura nga gjykatat për vitin 2022 është rritur për 41% krahasuar me vitin 2021.

Me rastin e publikimit të Raportit Lëvizja Fol ka ndarë edhe “Çmimi për gjykatën më transparente”. Ky çmim i është dhënë Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Me rastin e publikimit të këtij raporti, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se ndihet mirë kur kanë raporte të tilla qe flasin për progres për transparencës në sistemin gjyqësor.

Ai tha se publikimi i vendimeve tashmë është bërë rutinë në sistemin gjyqësor, por sfidë mbetet mungesa e kapaciteteve me qëllim që të publikohen në kohë rekorde vendimet.

E impresionuar me rezultatet e arritura në aspektin e transparencës së gjyqësorit sa i takon publikut të vendimeve u shpreh edhe Tamara Greig, drejtoreshë e INL në Kosovë e cila po ashtu tha se kjo paraqet një hap përpara për demokraci të plotë.

Ndërsa, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, tha se të dhënat tregojnë rritjen e nivelit të transparencës së institucioneve gjyqësore.

Ajo theksoi se kështu po zhvillohet e drejta e qytetarëve për të qenë të informuar.

Albana Hasani hulumtuese në Fol, deklaroi se bazuar në numrin e vendimeve të publikuara me lëndët e zgjidhura, Gjykata Supreme renditet e para, ku prej 4551 lëndëve të zgjidhura ka publikuar vendimet e 3188 prej tyre që në përqindje i bie 79%. Ajo pasohet nga Gjykata e Apelit e cila ka publikuar 50% të vendimeve ndërsa Gjykata Themelore e Ferizajt ka publikuar 46% të vendimeve.

Sa i takon degëve të gjykatave më së shumti vendimi kanë publikuar ajo e Kaçanikut, Rahovecit dhe Malishevës. / KP

Artikuj të ngjashëm