Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lekaj e Nurkoviq vizitojnë urën që në “Arbën Xhaferi” po ndërtohet si më e gjata në rajon

Ministrat Lekaj e Nurkovic së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, kanë vizituar urën që po ndërtohet në autoudhën “Arbën Xhaferi”, e cila është një nga urat më të gjatat në rajon dhe, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, “një nga vlerat më të mëdha infrastrukturore në vendin tonë”.

Sipas njoftimit për media, ministri Lekaj, duke e vlerësuar lartë gatishmërinë e ministrit të Malit të Zi, Osman Nurkoviq, në thellim të bashkëpunimit nëpërmjet projekteve të përbashkëta dhe përkrahjen e pa rezervë që Mali i Zi ka dhënë dhe po jep për Kosovën.

“Ne sot i vizituam punimet në urën më të gjatë në Ballkan, 5.7 kilometra e gjatë. E përgëzoj kompaninë për punën dhe standardin e krijuar në rajon. Ne na duhet bashkëpunimi me Republikën e Malit të Zi dhe ky bashkëpunim do të ketë impakt në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e korridoreve, por kjo vizitë do t’i intensifikojë raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës. Ajo që vlen të theksohet është se ne përmendëm shumë projekte por me qëllim erdhëm këtu dhe e falënderoj ministrin Nurkoviq që pranoi të vijë dhe nga afër t’i shikojë punimet, standardet dhe t’i shkëmbejmë përvojat në mënyrë që të ndikojmë edhe në implementimin e projekteve të përbashkëta”, citohet të ketë thënë Lekaj.

Ministri Nurkoviq duke iu adresuar gazetarëve tha se mbetet i fascinuar me cilësinë dhe vlerën e projekteve që po implementohen në Kosovë.

“E falënderoi ministrin Lekaj për pritjen dhe sigurisht që jam i fascinuar me atë që e pashë sot këtu. Uroj që kjo punë cilësore të përfundojë brenda afateve dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Shpresoj që ndërtime me cilësi të tillë të vazhdojnë edhe në drejtim të Malit të Zi, gjë për të cilën edhe kemi biseduar në takimet e sotme”, tha ministri i Malit të Zi, Osman Nurkoviq.​

Image