Lidhja Demokratike e Kosovës, në konferencën e sotshme, tashmë të rregullta çdo të premte, thotë se kriza politike në vend ka arritur në përmasa që imponon mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë. Kështu tha Abdullah Hoti, i cili e drejtoi konferencën.
Kriza institucionale po thellohet.
Institucionet e Kosovës, të udhëhequra nga koalicioni PAN, nuk janë në nivelin e përgjegjësisë.
Skandalet e përditshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë, mungesa e dijes elementare për të udhëhequr institucionet dhe problemet me ligjin, kanë bërë të humbet besimi i qytetarëve në institucione.
Në arenën ndërkombëtare, Kosova është në pozitën më të disfavorshme historikisht. Edhe gjatë viteve të 90-ta, kur nuk e kemi pasur shtetin tonë të pavarur dhe diplomaci shtetërore, përkrahja për Kosovën ka qenë më e madhe.
Kriza ka eskaluar me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri pas vendosjes së taksës për mallrat serbe.
Kjo situatë ka ardhur si rezultat:
- i angazhimit jo kushtetues të Presidentit për nisur dialogun me Serbinë për korrigjim të kufijve dhe
- nga mosveprimi i Kryeministrit në përputhje me kompetencat kushtetuese.
Kjo gjendje në Kosovë i shkon përshtati vetëm Serbisë për të implementuar projektin e vet për ndarje të Kosovës.
Presidenti po vazhdon kauzën e tij për rishikim të shtetësisë së Kosovës.
Më lejoni edhe një herë ta bëjë të qartë para të gjithë qytetarëve se LDK-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që prek integritetin territorial të shtetit të Kosovës.
Prandaj, na duhet konsensus për tejkalimin e krizës institucionale.
Të gjitha forcat politike që janë për shtetin e Kosovës duhet të tregojnë përgjegjësi institucionale në këtë situatë.
Duhet të mblidhemi në tryezën e partive politike parlamentare.
Pas dakordimit të partive politike, Kuvendi duhet të mblidhet për të miratuar çështjet më urgjente që janë në pritje:
- Rezoluta për heqjen e temës së rishikimit të kufijve nga dialogu.
- Ligji për ushtrinë,
- Buxheti për 2019,
Pas kësaj, duhet organizuar seancën e Kuvendit për shpërbërje të Kuvendit.
Kosovës i duhet një qeveri e përgjegjshme, profesionale, që i del zot vendit, që nuk i delegon kompetencat e veta kushtetues, por i ushtron ato plotësisht.
Kosovës i duhet një qeveri që mund të marrë vendime pa u kushtëzuar nga askush.