Arbëri

LDK-ja në Ferizaj i kërkon MIA-së pezullimin e punëve në projektin “Bashkimi i Qytetit”

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, ka kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit që t’i pezullojë punimet në projektin katërmilionësh, të ashtuquajtur “Bashkimi i Qytetit”, në Ferizaj, dhe të bëhet një auditim gjeneral i projektit.

Sipas LDK-së, ky projekt është duke u realizuar me buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës, mirëpo është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Komunal dhe në kundërshtim me ligjet e tjera në fuqi.

“Deri tashti ky projekt nuk është transparent dhe nuk është mbajtur as diskutimi publik, nuk ka kaluar në Kuvendin Komunal, nuk është në ligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës dhe shumë parregullsi të tjera, të cilat do të gjenden gjatë auditimit të këtij projekti”, thuhet në kërkesën e LDK-së , dërguar zyrës së ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”. Sipas kësaj shkrese këshilltarët e Kuvendit Komunal të Ferizajt kanë kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar për projektin “Bashkimi i Qytetit”, mirëpo kërkesa e opozitës është refuzuar nga komuna.

“Po ashtu edhe OJQ-të kanë bërë hulumtime se ky projekt ka hasur në disa pengesa duke mos realizuar edhe parashikimet, të cilat janë paraparë në projekt. Projekti, por as kontratat, nuk janë bërë publike asnjëherë nga qeverisja lokale, andaj LDK-ja i bashkëngjitet thirrjes së OJQ-së “Avonet” që ky projekt të pezullohet dhe të bëhet auditivi dhe një analizë financiare të projektit duke përfshirë nga inicimi i projektit e deri në këtë fazë të projektit”, thuhet më tej në shkresën e LDK-së.