Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur Grupin Parlamentar para seancës e cila pritet të mbahet më 9 shtator.
Deputeti Armend Zemaj para mbledhjes ka thënë se thirrja e seancës pas kalimit të afatit 30-ditor është shkelje e Kushtetutës, porse këtë sipas tij, duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.
Deputetja Doarsa Kica – Xhelili ka lënë të kuptohet se nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur më 9 shtator, duke shtuar se ajo ka kaluar çdo afat kushtetues.
Porse ka thënë se është e hapur për t’i dëgjuar kolegët nga Grupi Parlamentar.
“Është çështje shumë e komplikuar caktimi i seancës së re pasi afati kushtetues ka kaluar në gusht. Ne u patëm pajtuar ta citojmë një afat të ri për shkak të paqartësive që ka lënë Gjykata Kushtetuese. Për hir të krejt kësaj vendosëm ta pranojmë idenë e një afati fleksibil. Fakti që ka caktuar një afat të ri përtej afatit që vet e ka determinuar, tregon sa i pavendosur ka qenë për kandidaturën e Bekim Sejdiut. Unë vlerësoj se me të gjitha njohuritë e mija juridike që i kam, nuk mund të marr pjesë në një seancë që ka kaluar çdo afat kushtetues. Jam e hapur të shoh se çfarë mendon grupi parlamentar”, ka thënë ajo.
Deputeti Anton Quni ka thënë se do t’i dëgjojë kolegët dhe do të vijnë në një përfundim nëse do të marrin pjesë në seancë.
Ka shtuar se një Lidhje Demokratike e Kosovës sa më e unifikuar do të thotë një shpresë më e madhe e LDK-së.
Edhe
Deharin e bind marrëveshja LVV-LDK, ndonëse s’pritet të jenë numrat për president
Deputetët e zgjedhur në qershor, pritet të mblidhen më 9 shtator për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike e cila ka mbi një vit që zgjat dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten e javës që shkoi se seanca e ndërprerë muajin e kaluar do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.
Dehari e arsyetoi vendimin me marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me kandidatin për president të Kosovës.