Arbëri

LDK-ja konfirmon se VV-ja ka kontaktuar më shumë se dy deputetë të saj

Bashkëpunimin që nuk e gjeti në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është duke e kërkuar te deputetët e saj në mënyrë individuale. Nga LDK-ja kanë konfirmuar se së paku dy deputetë të saj janë kontaktuar nga VV-ja, porse janë unik si parti në qëndrime. Në Vetëvendosje kanë mohuar këto pretendime.

Lëvizja Vetëvendosje nuk është mjaftuar me refuzimet që ka marrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës për bashkëpunim drejt formimit të institucioneve të reja.

 

Pas kryetarit të saj, Lumir Abdixhikut, Vetëvendosje ka filluar të kontaktojë deputetët e LDK-së në mënyrë individuale.

 

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se më shumë se dy kolegë të tij janë kontaktuar nga VV-ja.

 

Por, sipas tij, një mënyrë e tillë, ndonëse legjitime, nuk sjell stabilitet e zhbllokim të situatës.

 

“Përtej dyve, ma shumë janë kontaktu por është çështje që ata/ato i kanë zbardhë vet këto takime që nënkupton që LDK-ja është unike, na veprojmë bashkë dhe jemi të interesum me i dhanë oksigjen politik krejt kësaj situate”, ka deklaruar Haziri.

 

Dy ditë më parë, deputetja Duda Balje, tha se në këmbim të votës pro kryeparlamentarit të propozuar nga Vetëvendosje, i është ofruar mundësi punësimi si profesoreshë në një universitet në Maqedoni të Veriut.

 

Derisa paraprakisht edhe kryetari i AAK-së deklaroi se Kurti e ka angazhuar koalicionin VLEN të Maqedonisë së Veriut, për ta siguruar edhe votën e deputetit goran Adem Hoxha.

 

Angazhimin e zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut për t`i siguruar votat për kryetaren e Kuvendit të Kosovës, sipas deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e sheh si kthim të borxhit ndaj Vetëvendosjes.

“Janë deklaruar vet se kanë aktivizuar miqtë edhe nga VLEN në Maqedoni sepse në fakt ju kanë borxh se edhe këta ju kanë ndihmuar që të vijnë në pushtet. Janë qëndrime individuale të deputetët, na nuk kemi ndikim as te Adem Hoxha as te Duda Balje. Këta janë deputet, i kanë qëndrimet e veta i dijnë pse nuk po bashkëpunojnë me LVV”, u shpreh deputetja e AAK-së.

 

Në lidhje me këto deklarime të deputetëve, në Lëvizjen Vetëvendosje i kanë mohuar këto pretendime.

 

"Meqë LDK ka thënë kështu le të tregojë vet ajo se kush qenkan ata. Kjo më shumë se e vërtetë duket manifestim i debateve të brendshme karshi absurdit të tyre në mosvotimin absolut që kanë zgjedhur si subjekt duke u shndërruar në bllokues të konstituimit të Kuvendit. Njëjtë vlen për deputeten Balje, pretendimet e saj është mirë dhe me rëndësi t’i dëshmojë ajo vetë", ka thënë VV-ja.

 

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje ka siguruar 48 deputetë. Përkrahje ka edhe nga 8 deputetë të komuniteteve joshumicë, por që është e pamjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit e madje edhe për të votuar Qeverinë.

 

Nga 61 vota sa duhen së paku për të dy proceset, Vetëvendosjes i mungojnë 5 sosh.

 

Megjithëkëtë, sinjale pozitive për bashkëpunim për Qeveri ka marrë nga Nisma Socialdemokrate që në Kuvend është e përfaqësuar me tre deputetë.