Arbëri

LDK-ja kërkon zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut

ldk enver maloku

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku kanë çmuar veprën e Enver Malokut në 27-vjetorin e  vrasjes së tij.

Në një postim në Facebook, LDK-ja ka thënë se Maloku ishte një prej themeluesve të fjalës së lirë në Kosovë.

Tutje ka kërkuar zbardhjen e plotë të vrasjes së tij.

“Enver Maloku ishte patriot i madh, veprimtar i palodhur i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci dhe një nga figurat më të rëndësishme të publicistikës kosovare. Si themelues i Qendrës për Informim të Kosovës, ai hapi një dritare të fuqishme informimi në kohën e errësirës së madhe, duke e bërë të vërtetën e Kosovës zë që dëgjohej në mbarë botën. Përmes shkrimeve dhe lajmeve të tij, Maloku denoncoi dhunën, masakrat, gjenocidin dhe eksodin e popullit të Kosovës”, thuhet në postimin e LDK-së.

LDK-ja tutje në postim ka shkruar se më 11 janar 1999, ai u vra pranë banesës së tij në Prishtinë, në moshën 45-vjeçare.

“Ndonëse nuk arriti ta përjetojë lirinë për të cilën punoi gjithë jetën, vepra e tij mbeti themel i fuqishëm i saj dhe trashëgimi e përhershme për brezat që gëzojnë sot këtë liri. Enver Maloku ka lënë gjurmë të pashlyera si burrë i guximshëm, gazetar idealist i një bote të lirë e pa censurë, intelektual i rrallë dhe veprimtar i patrembur. LDK, familja dhe bashkëveprimtarët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të vrasjes së tij, e cila mbetet plagë e hapur për shoqërinë. Sot nuk kujtohet vetëm njeriu që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten udhërrëfyes për të ardhmen, besimi në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në mbrojtjen e vlerave kombëtare”, thuhet në postimin e LDK-së.

Osmani: Vrasja e Enver Malokut kërkon vënien e autorëve para drejtësisë

4 o. më parë / 11 jan 2026 12:49
Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar Enver Malokun  në 27-vjetorin e vrasjes së tij.  

Osmani ka thënë se Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit.

 Ka shtuar se vrasja e Enver Malokut është krim që ende kërkon vënien e autorëve para drejtësisë. Sipas saj, është obligim i institucioneve të drejtësisë dhe borxh ndaj zërit të së vërtetës.

“Sot kujtojmë Enver Malokun, intelektualin e qetë, atdhetarin dhe bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte zëri i urtësisë dhe i dinjitetit në kohët më të rënda për Kosovën, arkitekt i komunikimit politik që e çoi të vërtetën tonë përtej kufijve. Enver Maloku besoi te fuqia e fjalës, te dialogu dhe te vizioni rugovian i lirisë, një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit. I shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në rrugën tonë shtetformuese”, ka shkruar ajo.